
Foto: Screenshot nga video e Aleksandar Arsenijeviq
Incident në Mitrovicën e Veriut, ndalohen të miturit shqiptarë në veturat me flamuj
12 persona, prej tyre dhjetë të mitur, janë ndaluar nga Policia e Kosovës mbrëmjen e 17.02.2025 nën dyshimet se me vetura, që kishin simbole kombëtare kanë hyrë në qytetin e Mitrovicës së Veriut. Të njëjtit janë ndaluar për shkak të kundërvajtjes në trafik – mospajisje me dokumente përkatëse dhe tejkalimit të numrit të pasagjerëve në një veturë.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëvëndësdrejtori i Policisë së Kosovës, në Mitrovicë të Veriut, Veton Elshani.
Sipas tij, të njëjtit kanë hyrë me vetura në qytetin e Mitrovicës së Veriut ku më pas kanë hasur në sulme me gurë nga qyetarët serbë.
“Janë ndaluar 12 persona, 10 të mitur, dyshohet se me flamura shqiptarë kanë hy Mitrovicë të Veriut. Dyshohet se disa serbë më pas i kanë sulmu me gurë. I kemi ndalu dy vetura, në njerën veturë kanë qenë pesë të mitur. në veturën tjetër kanë qenë shtatë persona. Ende nuk ka ndonjë vepër, përveç për patent shofer e kundërvajtje në trafik, për ketë punë jemi duke u marrë me ta”- ka thënë ai.
Ai ka thënë se gjatë ditës së sotme, janë angazhuar që në pjesën veriore mos të ketë provokime me rastin e festimit të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
“Nuk ka vepër për përdorimin e flamurave, por për këto çështjet e kundërvajtjes. Deri sa t’i sqarojmë disa situata që kanë ndodhur. Tani jemi duke e trajtu ketë rast, pasi që personat janë të mitur”- ka thënë ai.
Politikani serb, Aleksandar Arsenijeviq ka publikuar në rrjetin social të tij “Facebook” përkatësisht në opsionin ‘Story’ një video nga ku shihen veturat me flamuj shqiptar duke kaluar në njërën prej rrugëve të Mitrovicën e Veriut. [Arkiva]