Trepça

Incident mes drejtuesve të lartë të "Trepçës"

Një incident, të cilin Policia po e trajton si “sulm” ka ndodhur të hënën në ndërmarrjen “Trepça”.

KALLXO.com merr vesh se incidenti ka ndodhur mes Rafet Ibishit, ushtrues i detyrës së zëvëndëskryeshefit dhe Fahredin Berishës, drejtor i Financave.

Në një përgjigje për KALLXO.com, vetë Ibishi tha se për rastin është njoftuar Policia ndërsa, sipas tij, kishte vetëm një “tentim për konflikt fizik”.

“Po, ka qenë një mosmarrëveshje, s’po di si të jua shpjegoj, ka pasë një tentim për konfrontim fizik. Ishim në takim, unë jam zv. kryeshef e ai drejtor i Financave, më kundërshtoi e u shpreh me fjalën “po rren”. Por, ishte vetëm tentim për konflikt fizik… Kanë qenë edhe Policia”, ka thënë Rafet Ibishi.

Rastin për KALLXO.com e kanë konfirmuar edhe nga forcat e rendit.

“Sot është raportuar dhe iniciuar një rast rast si “Sulm”. Rasti vazhdon të hetohet në procedurë të rregullt”, ka thënë Avni Zahiti nga Policia e Kosovës.

Në anën tjetër, drejtori i Financave të “Trepçës” nuk ka dashur të japë shumë detaje për rastin.

“Nesër do të jap intervistë në polici, nuk merrem me deklarimet e të tjerëve”, ka thënë Fahredin Berisha për KALLXO.com.