Sislej Xhafa,Fotografi: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Inaugurohet skulptura “Trëndafili i bardhë” i Sislej Xhafës në Prishtinë

Skulptura “Trëndafili i bardhë” nga Sislej Xhafa është vepra e parë e projektit “Art në Hapësira Publike” që u vendos tek “Klubi i Pëllumbave” në Prishtinë.

Artisti Xhafa tha se është gjë e mirë që veprat e artit modern po ekspozohen në hapësira publike.

“Tani veprat po shkojnë te publiku. Është një mundësi e mirë që publikut t’i  krijojë një opinion”, tha Xhafa në konferencë për media.

Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Blerta Basholli tha se Xhafa përpos që po e përfaqëson Kosovën në botën e artit po kontribuon edhe për vendin.

“Para një viti e kemi përzgjedhur qe Sislej të jetë artisti qe do të sjellë veprën në hapësirë publike” tha Basholli.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo vepër e mediumit skulpturë, trajton unitetin, diversitetin dhe kompleksitetin e gjendjes njerëzore.

“Ndër të tjera “trëndafili i bardhë” nënvizon gjendjen e fuqishme psikologjike të melankolisë dhe lehtësisë, dy aspekte që e karakterizojnë punën e artistit” ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti ka shkruar se komuna e Prishtinës në kuadër të projektit “Art në Hapësira Publike” do të vazhdojë bashkëpunimin dhe me artistë të tjerë për të ekspozuar vepra të artit bashkëkohor në hapësira publike.

Sislej Xhafa jeton dhe vepron në Neq York, ShBA, ndërkaq me punimet e tij ka qenë prezent në Bienale të Venedikut, në Muzeun Nacional të Arteve të Bukura në Kubë, në Les Moulins në Francë, në PRISM Misericordia në Kaliforni.

Skulptura “trëndafili i bardhë” nga Sislej Xhafa/ Fotografi: KALLXO.com
Sislej Xhafa,Fotografi: Urim Krasniqi/KALLXO.com