Inaugurohet Qendra Nacionale  e Xhudos

 

Gjatë ditës së sotme është mbajtur ceremonia e inaugurimit të Qendrës Nacionale të Xhudos në Komunën e Pejës.

Pjesë e kësaj ceremonie ishin Kryetari i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos Marius Vizer, Presidentja Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti si dhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrullah Çeku.

Me këtë rast, presidentja e vendit Vjosa Osmani ndau medalje presidenciale për dy xhudistët që treguan sukses të jashtëzakonshëm në lojërat olimpike të mbajtura në Tokio.

“Majlinda e tani edhe Distria dhe Nora u siguruan që në dy paraqitje të Kosovës në Lojërat Olimpike, shteti ynë të shkojë në majat e suksesit. Jeni ju prandaj na ka zili bota, jeni ju prandaj zemrat tona gufojnë nga krenaria”, tha Vjosa Osmani.

Ndërsa kryetari i Federatës Ndërkombëtare të Xhudos, Vizer po ashtu ndau çmime dhe dekorata për trajnerin Driton Kuka si dhe për kryetarin e Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kukën.

“Nuk jeni shtet i madh, por një popull madhështor, dhe heronjtë tuaj provuan këtë në Rio, në Tokio, në Lojëra Olimpike dhe turne tjerë ndërkombëtarë të xhudos”, tha kryetari i Federatës Ndërkombëtar të Xhudos.

Po ashtu edhe kryeministri Kurti është shprehur mjaftë krenar me sukseset e sportistëve të xhudos.

‘’Ekipi i xhudos jeni shembulli që duhet ta ndjekim në të gjitha fushat tjera, sepse kur ka punë, suksesi nuk qëndron larg, pavarësisht se nga vjen ai”, tha Albin Kurti.

Qendra Nacionale e Xhudos është bërë me bashkëpunimin e Ministrisë së Kulturës Rinisë e Sportit dhe Federatës së Xhudos së Kosovës.