Inaugurohet projekti për prodhim të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme në Obiliq

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka njoftuar se nën organizmin e tyre dhe Komunës së Obiliqit është bërë inaugurimi i Pilot Projektit për prodhim të energjisë elektrike nga burimet e ripërtëritshme-sistemit fotovoltaik në ndërtesën e  Komunës së Obiliqit.

Ky projekt sipas AKK është pari i këtij lloji në Kosovë që zbatohet nga institucionet lokale është realizuar në kuadër të projektit “Mbështetja e Komunave të Kosovës përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës në lehtësimin e zbatimit të politikave të Efiçiencës së Energjisë në nivelin lokal“ i mbështetur nga Qeveria Gjermane përmes GIZ Kosova, projekti për Efiçiencë të Energjisë.

Në këtë ngjarje, Koordinatori i Projektit z.Arsim Osmani tha se ky projekt vjen në partneritet dhe bashkëfinancim mes GIZ Kosova dhe Komunës së Obiliqit. Këto projekte inovative në fushën e Efiçiencës së Energjisë dhe Burimeve te Ripërtëritshme kanë për qëllim të ofrojnë shembuj të mirë në rritjen e kursimit të energjisë, zvogëlimin e ndikimit negativ në mjedis si rezultat i shfrytëzimit të burimeve fosile për energji, si dhe përmirësimit të përgjithshëm te sistemit komunal për menaxhimit të energjisë.

Kryetari i Komunës së Obiliqit z. Xhafer Gashi falënderoi GIZ Kosova për mbështetjen në emër të Qeverisë Gjermane, rreth këtij projekti i cili shtoi se afati i kthimit të këtij investim është rreth 12 vite derisa prodhimi vjetor në euro është 1,200.00 euro.

Kryetari Gashi tha se komuna e Obiliqit është territori ku prodhohet 94% e energjisë elektrike nga burimet fosil dhe përmes këtij pilot projekti Komuna dëshiron të jep sinjale të qarta se është tepër e interesuar të krijoj një mjedis më të pastër dhe të qëndrueshëm për një të ardhme më të mirë për gjithë qytetarët e saj.

Drejtori i GIZ Kosova Z. David Oberhuber tha se e vlerëson këtë bashkëfinancim me Komunën e Obiliqit, për një projekt që do të ketë ndikim në prodhimin e një pjese të energjisë për ndërtesën e kësaj komune.  Ai tha se me instalimin e këtij sistemi diellor fotovoltaik arrihet mbulimi i nevojave për energji elektrike nga sistemi diellor për 12% si dhe ky bashkëfinancim i mundëson Komunës që të përgjysmojë afatin e kthimit të investimit.

Aplikimi i sistemeve diellore fotovoltaike apo edhe burimeve tjera të ripërtëritshme të energjisë, është një mënyrë efektive për të arritur qëllimet e përgjithshme për tranzicion energjetik drejt një ekonomie pa karbon dhe për të siguruar përfitime të konsiderueshme në ekonomin lokale. Kjo qasje shërben edhe si model për banorët, bizneset dhe komunat tjera, ndikon në rritjen e zhvillimit ekonomik dhe kontribuon në zhvillimin e fuqisë punëtore në sektorin e shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Me përdorimin e sistemeve të tilla arrihet efekt i menjëhershëm në kursimet e faturave të energjisë në ndërtesa, ku në rastin e Komunave ato paraqesin ngarkesë të konsiderueshme për buxhetin komunal.

Vlen të ceket se në kuadër të këtij projekti nëpërmjet Asociacioni Komunave te Kosovës kanë përfituar katër komuna (Obiliqi, Istogu, Gjilani dhe Graçanica). Realizimi i tyre është bërë me bashkëfinancim (50% nga fondet komunale dhe 50% fondi i projektit).

Sistemi diellor fotovoltaik i instaluar në ndërtesën e Komunës së Obiliqit është i licencuar si vetë-prodhues nga ZRRE dhe ka leje nga KEDS për shfrytëzimin e rrjetit elektrik. Kjo mundëson që në rastet kur nuk ka konsum, konsumatorët e KEDS të kyçur në rrjet të shfrytëzojnë energji të ripërtërishme. Jetëgjatësia e këtij investimi është 25 vjet dhe ka kapacitet prej 16.32 kwp.