Inaugurohet objekti i ri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjilan

Objekti i ri i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) “Dr. Nagip Rexhepi” është inauguruar sot në Gjilan.

Në inaugurimin e këtij objekti kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka falënderuar mantelbardhët për punën e madhe që e kanë bërë, sidomos gjatë përballjes me pandeminë COVID-19.

Ai ka thënë se janë gati që ta bëjnë bartjen e stafit për ta funksionalizuar Spitalin e Qytetit (QKMF )“Dr. Nagip Rexhepi”.

“Me këtë rast, e falënderoj ish-ministrin Imet Rrahmani dhe tre ministrat tjerë, të cilët e mbështetën këtë projekt. Ju uroj festat e nëntorit dhe suksese në shërbimin ndaj qytetarëve, për ruajtjen e shëndetit të tyre. Faleminderit të gjithë mjekëve, infermierëve e punëtorëve teknikë për punën e madhe që kanë bërë gjatë menaxhimit të pandemisë COVID-19”, ka thënë Haziri.

Ndërsa drejtoresha e QKMF-së, Dr. Arbenita Hajdari, ka thënë se tash e tutje do të ketë shërbime shumë më cilësore për pacientët.