Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Imri Ahmeti komenton humbjen e Lutfi Hazirit dhe Xhafer Tahirit

Imri Ahmeti, kryetar i Lipjanit, në emisionin “Kallxo Përnime” ka komentuar humbjen e bashkëpartiakut të tij, Lutfi Hazirit në Gjilan si dhe të Xhafer Tahrit në Vushtrri.

“Unë nuk besoj që ka humb Lutfi Haziri, ai ka fituar në Gjilan, nuk është kryetar por ka fituar. Në rundin e parë ka qenë mirë  i pozicionuar, LDK është partia e parë në asamblenë e Gjilanit. Një ndër njerëzit me përvojë të jashtëzakonshme në politikë është z. Haziri. Është mëkat për gjilanasit që nuk e kanë menaxher më tutje”, tha ai.

Sipas Ahmetit, angazhimi në nivelin qendror e ka ‘penalizuar’ Hazirin në komunën e Gjilanit.

“E di që e ka konsumuar shumë niveli qendror dhe aktivizimi i tij politik i madh në nivel qendror sigurisht ka pasur hendikapin e vet në nivel lokal, dhe mund të jetë një organizim i të gjitha partive politike kundër Lutfiut”, theksoi Ahmeti.

Imri Ahmeti tha që ende nuk kanë ndonjë analizë se përse kanë humbur Gjilanin dhe Vushtrrinë.

“Nuk kemi nxjerrë një analizë për të parë se ku ka pasur rrjedhje dhe përse kemi ardhur në këtë situatë, por ajo që mund të them është se jemi të kënaqur me rezultatin që kemi në nivel vendi. Te puna e Vushtrrisë dhe komunave të tjera do të ulemi të rishikojmë se çfarë ka ndodhur”, tha ai.

Por sipas tij mund të konstatohet se në Vushtrri Xhafer Tahiri nuk ka punuar mjaftueshëm.

“Mund të konstatojmë që sigurisht nuk ka punuar mjaftueshëm për të marrë pëlqimin e publikut, prandaj edhe kundërkandidati i tij ka marrë më shumë vota”, shtoi ai.

Dje në 21 komuna të Kosovës është mbajtur rundi i dytë i zgjedhjeve.

Në Vushtrri, Xhafer Tahiri sipas rezultateve preliminare të KQZ-së nuk ka arritur të fitojë edhe një mandat.

Po ashtu, në Gjilan, Lutfi Haziri ka dështuar të fitojë edhe një mandat.