Imri Ahmeti i LDK-së largon billbordin e Ramush Haradinajt nga oborri i shkollës

Komuna e Lipjanit e ka larguar billbordin e vendosur nga koalicioni AAK-PSD, të kandidatit të tyre Ramush Haradinaj, i cili ishte vendosur në oborrin e shkollës ‘Vëllezërit Frashëri’ në Lipjan.

Këtë e ka konfirmuar drejtori i Arsimit në këtë komunë, Rasim Hasani.

“Po ne kemi marrë masa dhe billboardi është larguar”, ka thënë shkurtimisht Hasani për KALLXO.com.

Billboardi ishte parë të mërkuren në mëngjes, ndërsa Hasasni kishte thënë se për këtë gjë është njoftuar edhe KKZ-ja në Lipjan.

Ndërsa zëdhënsja e PSD-së, Natyra Kuçi, e cila është edhe kandidate për deputete nga koalicioni AAK-PSD, nuk ka kthyer përgjigje se pse është vendosur një billboard i tillë në oborrin e një shkolle.

Ligji për Zgjedhje e thotë qartë që partive politike iu ndalohet vendosja e pllakateve të fushatës zgjedhore brenda ose jashtë ndërtesave publike.

“Vendosja e njoftimeve, pllakateve dhe posterëve, ose përndryshe, vendosja e emrave të tyre ose e sloganeve në lidhje me fushatën zgjedhore brenda ose jashtë ndërtesave publike ose godinave, në apo mbi rrugët publike, në shenjat publike të trafikut, brenda ose jashtë hapësirave ose ndërtesave të zëna ose, ndryshe që të shfrytëzohen nga organizatat ndërkombëtare, ose brenda ose në hapësirat private pa lejen e pronarëve ose shfrytëzuesve”, thuhet në nenin 33 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.