Eksporti - Foto: REL/EPA

Importi ‘ngufati’ eksportin në muajin prill, deficiti tregtar kaloi mbi 100%

Importi po dominon tërësisht eksportet e Kosovës. Vetëm në muajin prill u importuan 384 milionë euro mallra kundrejt 61 milionëve të eksportuara. Deficiti tregtar, sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, u “groposë” për 100.5 për qind më thellë nëse të dhënat për muajin prill të këtij viti, krahasohen me raport me muajin e njëjtë të një viti më parë. Në atë kohë, sipas raportit të ASK-së, Kosova kishte një deficit në vlerë prej 161.2 milionë eurove e tani ky deficiti arrin në 323.4 milionë euro.

Eksporti mbulon importin me 15.9 për qind.

Në muajin prill u importuan mbi 384 milionë euro mallra e u eksportuan vetëm 61 milionë.

“Eksporti i mallrave në muajin prill 2021 kishte vlerën 61.1 milionë euro, ndërsa importi 384.5 milionë euro, që është një rritje prej 86.9% për eksport dhe 98.2% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020”, thuhet në të dhënat e ASK-së

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 36.0 për qind të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18.1 për qind e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 11.0 për qind e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.6 për qind e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.0 për qind e përbëjnë produktet minerale; 5.0 për qind e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 4.8 për qind tekstili dhe artikujt prej tij, etj.

“Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 13.8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 13.2% produktet minerale; 11.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.9% metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 9.1% e përbëjnë mjetet e transportit; 8.8% produktet e industrisë kimike; 7.1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.”, thotë ASK-ja.

Vetëm 19 milionë euro eksport drejt BE-së

Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, arritën në 18.9 milionë euro, ose rreth 31.0 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 77.8 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE-së ishin: Italia 9.1 për qind, Gjermania 7.8 për qind, Bullgaria 2.6 për qind etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 174.7 milionë euro, ose 45.4% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 85.3%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (14.7%), Italia (5.4%), Sllovenia (4.5%), Greqia (3.3%), etj.

CEFTA, Kosova më shumë bleu në Serbi e shiti në Shqipëri

Të dhënat e ASK-së, për shkëmbimin e mallrave të Kosovës me vendet e CEFTA-s thonë se:

“Në muajin prill 2021, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-së arritën në 23.5 milionë euro, ose 38.5% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 44.8%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Shqipëria (15.6%), Maqedonia e Veriut (11.0%), Serbia (6.3%), dhe Mali i Zi (3.4%)”, thuhet në të dhënat e ASK-së.

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin prill të sivjetmë, arritën në 76.7 milionë euro, ose 20.0 për qind të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 103.8 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia 6.8 për qind, Shqipëria 5.9 për qind, dhe Maqedonia e Veriut 5.4 për qind.

Në anën tjetër, eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 18.6 milionë euro, ose 30.5 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA 15.9 për qind dhe Zvicra 7.6 për qind.

Këto të dhëna Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e statistikave lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin prill 2021.