Impianti i ngrohjes me biomase/Gjakove

Impianti i ngrohjes me biomasë në Gjakovë, qytete tjera po e shqyrtojnë po ashtu këtë alternativë

Një impiant i ngrohjes me biomasë ka zëvendësuar sistemin 40-vjeçar të bazuar në naftë në rrethinën e Gjakovës dhe tani po gjeneron energji të pastër dhe të gjelbër gjatë gjithë kohës. Kjo është një risi në Ballkan dhe model për rajonin.

Në periferi të Gjakovës, qytet me 40,000 banorë, impianti i parë i ngrohjes me biomasë në Ballkan kohët e fundit filloi të prodhojë ngrohje dhe furnizim të kufizuar me energji elektrike për 2,000 familje, institucione publike dhe biznese.

Objekti është i teknologjisë së lartë për ngrohje dhe energji. Njësia, e cila filloi të funksionojë në fillim të këtij viti, funksionon tërësisht në një nga burimet më të bollshme të energjisë në rajon: biomasa e mbetur, në formën e mbetjeve të biodegradueshme si krasitjet e hardhisë dhe mbetjet e drurit.

Bashkimi Evropian dhe komuna e Gjakovës financuan fabrikën në shumën prej 15 milionë euro (afërsisht 15 milionë dollarë). Me këto para u blenë dy kalldaja me ngrohje, të cilat në thelb janë furra, dhe një turbinë me avull të kombinuar me nxehtësi dhe fuqi. Ky i fundit e shndërron avullin në energji elektrike. Ndërkohë, Bashkëpunimi Ekonomik Zviceran po kontribuon me 5 milionë euro për zëvendësimin dhe rinovimin e rrjetit të ngrohjes në rrethinë.

Ngrohja e shtëpive, shkollave dhe spitaleve

Sistemi, i cili ishte tre vjet në përgatitje, do të funksionojë me kapacitet të plotë këtë dimër, duke siguruar 35% të qytetit me ngrohje.

“Përparësitë janë se impiante të tilla kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në mbrojtjen e mjedisit. Gjithashtu, ky impiant hap vende të reja pune dhe siguron ngrohje cilësore për klientët, përfshirë shkollat dhe spitalet”, tha Albana Dulatahu-Skivjani, drejtoreshë e fabrikës.

Klientë të kënaqur

Nëse baza e saj e ardhshme e klientëve është po aq e kënaqur sa ata që përfitojnë aktualisht nga fabrika, komuna do të ketë shumë arsye për të qenë e kënaqur.

“Nxehtësinë e përdor për shtëpinë dhe biznesin tim”, thotë Adnan Canhasi, 63-vjeçar nga Gjakova.

“Dikur kishim ngrohje vetëm në mëngjes dhe natën për një numër të kufizuar orësh. Tani është krejtësisht ndryshe,  kemi ngrohje 24 orë në ditë. Fatura e ngorhjes nuk është rritur”-tha Canhasi.

Ulja e kostove të karburantit dhe transportit

Pjesa më e madhe e biomasës  vjen nga fermat lokale, industria e lëndës drusore dhe dyqanet e zdrukthtarisë në Kosovë. Kjo do të thotë se kostot e transportit të karburantit janë shumë më të ulëta se sa për naftën, e cila importohet kryesisht nga Shqipëria.

Një ton biomasë kushton 110 euro, sipas Dulatahu-Skivjani. Një ton naftë e importuar shkon me 10 herë më shumë se çmimi.

Dulatahu-Skivjani theksoi se një njësi e biomasës nuk është aq e pasur me energji: një kamion cisternë plot me naftë përdoret për të mbajtur termocentralin në punë për dy ditë. Tani duhen dy kamionë me biomasë për të gjeneruar të njëjtin vëllim energjie.

 Proces kompleks

Ajo që tingëllon si një çështje e thjeshtë e djegies së mbetjeve është në fakt  proces kompleks, shumë teknologjik. Së pari, është thelbësore që grimcat e biomasës, të cilat janë kryesisht mbetje pyjore, të mos jenë as shumë të mëdha dhe as shumë të vogla; mesatarisht kanë madhësinë e një shkrepëseje. Së dyti, biomasa e dorëzuar duhet të përmbushë standardet e BE-së për përmbajtjen e lagështisë, nivelet e ndotjes dhe llojin e drurit.

Këtë dimër, termocentralit do i nevojiten 10 mijë ton biomasë për të prodhuar nxehtësi pa ndërprerje, duke i mundësuar atij të gjenerojë 15 megavat energji termike dhe 1,5 megavat energji elektrike.

“Ky është investimi më i madh në ngrohje qendrore në Kosovë”, tha Dulatahu-Skivjani.

BE-ja po ndihmon integrimin e Kosovës në sistemin energjetik të Evropës Juglindore duke përmirësuar rrjetin e saj të transmetimit të tensionit të lartë dhe zgjeruar ngrohjen qendrore. Megjithatë, ndryshe nga ky projekt, rrjetet e tjera të reja të ngrohjes qendrore në vend mbështeten në termocentralet ekzistuese, shumica e të cilave janë me qymyr.

Strategjia energjetike e Kosovës

Sa i përket energjisë së gjelbër, Kosova është në fazat e hershme të zhvillimit. Aktualisht për vendin është duke u hartuar një strategji energjetike për vitet 2022 deri në 2031. Kosova synon të jetë neutrale ndaj karbonit deri në vitin 2050, sipas udhëzimeve ndërkombëtare.

Tetë qytete të tjera kosovare po shqyrtojnë ngrohjen me biomasë, por Prishtina, kryeqyteti dhe qyteti i saj më i madh dhe më i ndotur, nuk është në mesin e tyre.

Për të ecur përpara, “na duhen të dhëna më specifike se sa dru kemi për këtë qëllim,” tha Linda Cavdarbasha, zëvendësministrja e mjedisit në Kosovë, duke iu referuar biomasës së mbetur.

Planet për zgjerim

Ngrohtorja aktualisht furnizon vetëm një pjesë të qytetit të Gjakovës, por ka plane për zgjerimin e saj.

“Zgjerimi në zonat rurale është problematik sepse humbet avantazhi i kostos”- sqaroi kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.

“Nxehtësia kryhet përmes tubacioneve, të cilët kanë nevojë për stacione pompimi për të mbuluar distanca të gjata. Fshatrat që janë më larg humbasin kur krahasohen kostot dhe përfitimet”-shtoi ai.

Kritikët e vendosin projektin në perspektivë, aktivistja mjedisore Egzona Shala-Kadiu  theksoi se “është vetëm një projekt pilot, një komunë, madje as i gjithë qyteti”.

“Zhvillimi i diçkaje të tillë [në nivel kombëtar] kërkon vullnet politik,” tha ajo, gjë që, sipas Shala-Kadiut, mungon në Kosovë.

Megjithatë, për shkak se “politika klimatike është aktualisht shumë e rëndësishme” në nivel ndërkombëtar, ajo shpreson që shtetet anëtare të BE-së dhe vetë BE-ja do të ndihmojnë në mbulimin e kostos së një përhapjeje shumë më të madhe të burimeve të rinovueshme.

Megjithatë, Shala-Kadiu përshëndeti faktin se me këtë pilot projekt Kosova ka filluar të shfrytëzojë atë që ka me bollëk për të prodhuar energji në mënyrë të gjelbër. Vjosa Çerkini/DW