Impakti i KALLXO.com, “Pastërtia” merr vendim për mbeturinat që hidhen në oborrin e saj

Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastërtia” ka marrë vendim që mbeturinat të cilat i mbledh në Ferizaj të mos i hedh më në oborrin e kësaj kompanie, ashtu siç kishte bërë kohë më parë.

Ky vendim erdhi pas raportimit të KALLXO.com që ka transmetuar edhe ankesat e banorëve përreth, të cilët konsideronin se grumbullimi i mbeturinave në ambientet e kësaj kompanie, po u shkakton probleme të shumta.

KALLXO.com ka siguruar vendimin sipas të cilit nga sot, 9 gusht, ndalohen hedhja e mbeturinave brenda oborrit të KRM “Pastërtia”.

Gazmend Isamjli, kryeshef i operativës, ka thënë se largimi i mbeturinave do të filloj nga sot, por për shkak të kapaciteteve të limituara, ato nuk mund të largohen brenda ditës.

“Vendimi është marr që të largohen të gjitha mbeturinat, por që nuk mund të largohen të gjitha njëherësh. Pas largim të të gjitha mbeturinave, do të bëhet dezinfektimi i hapësirës”, ka thënë Isamjli.

KALLXO.com ditë me parë ka raportuar për grumbullimin e mbeturinave dhe ka përcjellë protestën e banorëve që kërkonin largimin e bërllokut nga ajo hapësirë̈, për shkak të kundërmimin të erës së keqe dhe ndotjes së madhe që shkaktonin.

Ferizajasit me protestë detyrojnë kompaninë të heq mbeturinat kundërmuese (VIDEO)