Imeri nga Njësia për Monitorim: “Trepça”, fatkeqësisht, nuk është ndryshe prej Telekomit e KEK-ut

Besim Imeri, udhëheqës i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Ekonomisë, ka thënë se ka dyshime për korrupsion në “Trepçë”.

Në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime”, Imeri tha se kjo ndërmarrje nuk ndryshon shumë nga Telekomi e KEK-u.

Ai ka komentuar edhe ngjarjet e fundit në “Trepçë” ku u sulmuan dy zyrtarë të menaxhemntit nga disa persona brenda hapësirave të ndërmarrjes.

“Unë besoj që nuk është në pyetje terminali, ka interesa tjera. Ne e kemi një model, në secilën ndërmarrje publike ka klane të interesit material. Besoj që edhe kjo është në “Trepçë”. Disa prej tyre janë dërguar edhe në hetuesi në Prishtinë mirëpo ka të bëjë me mbetje, minerale dhe kontrata që duket që janë të dyshimta”, tha ai.

“Çështja pak është acaruar, sidomos në “Trepçë” kur ka dalë me një komunikatë bordi që një rast që ka të bëjë me miliona euro, me disa kontrata të peritit është dërguar në krimet ekonomike në Prishtinë, pastaj u acarua gjendja këtu. Ka të bëjë me menaxhmentin e kaluar”, deklaroi udhëheqësi i Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Ekonomisë.

Ai ka dhënë detaje mbi disa kontrata të cilat kanë përfunduar në organet e hetuesisë.

“Kjo çka ka ndodhur në “Trepçë” fatkeqësisht ka kaluar në dhunë, por nuk është e ndryshme prej Telekomit, KEK-ut ose rastet e tjera, i njëjti mentalitet. Unë jam këtu se është vendi im, ky është mentalitet në shumë ndërmarrje”, tha ai.

“Ne kemi pasur informata që disa mbetje janë tu u shitë edhe kemi parë bazën ligjore se a kanë të drejtë. Kur kemi analizuar ka dalë që nuk ka bazë ligjore”, deklaroi Imeri.