Ilire Vinca ftohet të bëhet pjesë e Akademisë Europiane të Filmit

Aktorja kosovare Ilire Vinca është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Europiane të Filmit, njofton Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Përderisa kufinjtë na ndajnë, arti na bashkon pa dallim race e gjinie, ashtu siç janë ndjenjat dhe e vërteta. Jam e nderuar të jem anëtare e Akademisë Europiane të Filmit”, u shpreh aktorja kosovare Ilire Vinca, thuhet në njoftimin e QKK-së.

Ilire Vinca ka karrierë artistike si aktore e filmit, teatrit dhe profesoreshë e aktrimit në Universitetin e Prishtinës. Ajo është aktorja e parë që mori pjesë në Berlinale me filmin ‘Falja e Gjakut’ në vitin 2011 dhe me filmin ‘Burrneshat’ në vitin 2015.

Disa nga filmat e njohur në të cilët luan janë: “Zana”, “Pranverë e paharruar në fshatin e harrua”, “Gardhi” dhe “Martesa”.

Aktorja është anëtarja e 16-të nga Kosova që bëhet pjesë Akademisë Europiane të Filmit.

Akademia Europiane e Filmit është themeluar në vitin 1989 nga Ingmar Bergman bashkë me Pedro Almodovar, Lindsay Anderson, Bernardo Bertolucci, Sir Ben Kingsley, Andrzej Wajda, Wim Wenders etj.