Ilir Murtezaj - Foto: REL

Ilir Murtezaj rikthehet në pozitën e Drejtorit të ATK-së

Ilir Murtezaj është rikthyer në postin e drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), pasi që në muajin tetor të 2020-ës ai ishte shkarkuar nga kjo pozitë nga kryeministri në detyrë Avdullah Hoti.

Rikthimin e Murtezajt në ATK e kanë bërë të ditur nga ky institucion.

“Nga sot Ilir Murtezaj rifillon punën në pozitën e drejtorit të Përgjithshme të Administratës Tatimore të Kosovës, bazuar në Vendimin NR. 302/2020, të marr nga Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti, për rikthimin në pozitën e drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së Ilir Murtezaj”, thuhet në njoftim.

Murtezaj sot ka mbajtur takimin e parë me menaxhmentin e lartë të ATK-së për këtë vit, në të cilin janë diskutuar planet dhe aktivitetet për vitin 2021, si dhe shumë projekte të tjera, të cilat do të vazhdojnë të finalizohen gjatë këtij viti./21Media

KALLXO.com ka raportuar se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil e ka aprovuar ankesën e ish drejtorit të ATK-së, Ilir Murtezaj dhe e ka obliguar kryeministrin e Kosovës që ta rikthej në krye të këtij institucioni.

Me këtë vendim KPMSHC e ka anuluar vendimin e kryeministrit me të cilin Murtezaj ishte shkarkuar nga pozita më e lartë në ATK.

Sipas KPMSHC-së vendimi i kryeministrit është në kundërshtim me Ligjin për zyrtarët publik.
Ilir Murtezaj ishte shkarkuar nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të ATK-së nga kryeministri i Kosovës me arsyetimin se ka qenë i pa aftë dhe ka pasur sjellje të keqe duke degraduar zyrtarë të ATK-së të cilat janë konstatuar edhe nga Avokati i Popullit.

KPMSHC me rastin e trajtimit të ankesës së drejtorit Murtezaj ka vlerësuar se vendimi për largimin e tij nga pozita e drejtorit të përgjithshëm nuk ishte i bazuar pasi nuk ishte përmbushur asnjë nga kushtet e parapara për shkarkim në Ligjin për zyrtarët publik.

Sipas KPMSHC për t`u konsideruar i paaftë një nënpunës civil duhet të vërtetohet nga udhëheqësi i drejtpërdrejtë gjatë procesit të vlerësimit të rezultateve të punës dhe nëse për dy vite radhazi merr vlerësim jo të kënaqshëm atëherë përmbushet kushti ligjor që i njëjti të shkarkohet.

Po ashtu Kolegji ka vlerësuar se largimi nga shërbimi civil për sjellje të keqe të një zyrtari të lartë mund të bëhet vetëm pasi të vërtetohet nga organi kompetent, pra nga Këshilli Shtetëror për Vlerësim dhe Disiplinë dhe vetëm pasi ky Këshill të konstatojë masën disiplinore atëherë zyrtari i lartë mund të shkarkohet.

KPMSHC në rastin Murtezaj ka konstatuar edhe shkelje të ligjit për Procedurën Administrative pasi vendimi për shkarkimin e tij nuk përmbante pjesën përmbyllëse, atë të ushtrimit të mjeteve juridike.

Andaj për këto arsye KPMSHC ka vlerësuar se ankesa e ish drejtorit Ilir Murtezaj ka qenë e bazuar pasi nuk janë përmbushur asnjëri nga kushtet e përcaktuara me ligj dhe përmes vendimit e ka obliguar kryeministrin e Kosovës që të njëjtin ta kthejë në punë brenda 15 ditëve.

Me 16 tetor të këtij viti drejtori i ATK-së, Doganës dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës ishin shkarkuar nga kryeministri Avduallah Hoti.

Hoti shkarkon nga detyra edhe Drejtorin e Doganës dhe atë të ATK-së