Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Ilir Mulhaxha reagon pas vendimit të Ministrisë për pushimin e tij nga ushtrimi i funksionit të përmbaruesit privat

Përmbaruesi privat, Ilir Mulhaxha, ka reaguar pas njoftimit të zëvendësministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili ka thënë se ka nënshkruar vendimin për pushimin e Mulhaxhës nga detyra.

Mulhaxha ka thënë se është pushuar nga ushtrimi i funksionit të përmbaruesit privat përmes Facebook-ut të Sallahut.

Ai ka thënë se nuk e di cilat shkelje ligjore pretendohet se janë gjetur.

“Unë nuk kam pranuar ende vendimin e komisionit dhe nuk e di për cilat shkelje ligjore pretendohet. Gjithashtu, ende deri në ditën e sotme nuk e kam parë procesverbalin e seancës dëgjimore, të cilin Ministria ende nuk ma ka dorëzuar që ta nënshkruaj dhe të njëjtin ta pranoj”- ka thënë ai.

Mulhaxha tutje ka thënë se me përgjegjësi të plotë morale dhe ligjore deklaron se nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore.

“Po, unë kam vetëm një faj, që ushtroj profesionin e përmbaruesit privat, mirëpo si duket fajin më të madh e kam që jam vëllai i deputetes”- ka thënë ai.

Ilir Mulhaxha është vëllai i deputetes së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Mulhaxha – Kollçaku.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka sot njoftuar se është larguar nga puna përmbaruesi privat, Ilir Mulhaxha.

“Sapo kam nënshkruar vendimin për pushim nga detyra të përmbaruesit privat z. Ilir Mulhaxha”- ka shkruar Sallahu në Facebook.

Tutje, zëvendësministri ka thënë se “Komisioni Disiplinor për Përmbarues Privat ka gjetur shkelje disiplinore pasi që i njëjti gjatë kryerjes së veprimeve përmbarimore në kuadër të aktivitetit të tij, nuk iu ka përmbajtur ligjit, në lëndën e përmbarimit, dhe si rrjedhojë është shqiptuar masa disiplinore, shkarkim nga detyra”.

Më 10 janar 2023, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kishte njoftuar  për suspendimin e përmbaruesit privat, Ilir Mulhaxha.