Foto: Ilir Meta / facebook

Ilir Meta: Tejet zhgënjyes votimi kundër ndaj projekt-rezolutës për Srebrenicën

Tejet zhgënjyes e ka quajtuar presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, votimin kundër sipas tij të mazhorancës ndaj rezolutës së paraqitur në Kuvendin shqiptar për njohjen dhe dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Meta ka shkruar se ndjen keqardhje për deputetët të cilët shtrembërojnë vullnetin e qytetarëve.

“Në kushtet e agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikueshëm rus kundër Ukrainës, dhe kur në rajonin tonë vërehen përpjekje të shtuara për të mohuar gjenocidin serb në Srebrenicë dhe për të glorifikuar kriminelët e luftës, seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë do të duhet të shprehte me solemnitet dhe vendosmëri të plotë vullnetin e patjetërsueshëm të popullit shqiptar kundër gjenocidit barbar, që mori jetët e 8372 njerëzve në Srebrenicë”, ka shkruar Meta.

Kryeministri Edi Rama, para disa orësh ka reaguar në lidhje me këtë çështje duke thënë se Parlamenti nuk ka rrëzuar asnjë rezolutë për Srebrenicën.

“Edhe një fakt për t’u nënvizuar: Parlamenti sot nuk ka rrëzuar asnjë rezolutë për Srebrenicën, po thjesht ka refuzuar të fusë në procedurën trejavore parlamentare një dokument të ardhur nga Katrani, siç do të bëjë me çdo letër që do të ketë bojën e tij”, ka shkruar Rama.

Edi Rama: Parlamenti nuk ka rrëzuar asnjë rezolutë për Srebrenicën, është lojë e ulët