Ilir Meta pranon uniformën e FSK-së

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka pritur sot në takim Komandatin ne Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrahman Ramën, nga i cili ka pranuar uniformën e FSK-së.

Meta për këtë takim ka shkruar se me Ramën ka folur rreth bashkëpunimit mes forcave të armatosuta të Kosovës dhe Shqipërisë.

“Prita sot në një takim vëllazëror, Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Leitnant Rrahman Rama.Ndamë mendime tepër të vyera në lidhje me domosdoshmërinë e forcimit të bashkëpunimit mes forcave tona të armatosura, me qëllim përballimin me sukses të sfidave të sigurisë kombëtare që parashtron koha, në funksion të paqes e stabilitetit në rajonin tonë” , ka shkruar Meta në postimin e tij në facebook.

Sipas Metës, Kosova e meriton plotësisht të jetë sa më parë anëtare e NATO-s, dhe do të ketë mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë në këtë drejtim, ashtu si në të gjitha fushat me interes reciprok e kombëtar.

“I shpreha mirënjohjen e thellë, për sakrificat dhe solidaritetin vëllazëror, gatishmërinë e pashoq dhe profesionalizmin e jashtëzakonshëm të treguar nga FSK dhe Kosova jonë e dashur ndaj Shqipërisë, që në momentet e para pas tërmetit të 26 nëntorit 2019”, ka shkruar Meta.