Adem Demaçi

Ilir Meta për Adem Demaçin: "Mandela i Evropës" dhe "Saharovi" ynë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e ka kujtuar simbolin e rezistencës shqiptare të Kosovës, Adem Demaçi, në dyvjetorin e vdekjes.

‘Mandela i Europës’ dhe ‘Saharovi’ i shqiptarëve e ka quajtur Demaçin, Presidenti Meta.

Në një postim në Facebook, Presidenti Meta vdekjen e Demaçit e ka përshkruar si një dhimbje të thellë.

“Nuk do t’i gjej kurrë fjalët e duhura për të shprehur dhimbjen e thellë që la pas ikja jote në përjetësi dy vite më parë, Baca Adem Demaçi”, ka shkruar tutje ai.

Postimi i plotë i tij:

Nuk do t’i gjej kurrë fjalët e duhura për të shprehur dhimbjen e thellë që la pas ikja jote në përjetësi dy vite më parë, Baca Adem Demaçi, emblema e qëndresës shqiptare, Heroi ynë i pashembullt për liri dhe dinjitet kombëtar e njerëzor.

Sot ne përulemi me respekt e mirënjohje të thellë para kujtimit të jetës dhe veprës tënde të lavdishme e frymëzuese për të gjitha gjeneratat e shqiptarëve, si një model kombëtar i skalitur në historinë tonë dhe të luftës për pavarësinë e Kosovës.

Do të mbetesh maratonomaku shqiptar i palodhur i lirisë, ‘Mandela i Europës’ dhe ‘Saharovi’ ynë me më shumë vite burg të vuajtura në ish-Jugosllavi si i burgosur politik, që i’a dole të përballosh e t’i sfidosh me fisnikëri e mençuri sakrificat pambarim për çështjen kombëtare, Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane e të njohur ndërkombëtarisht me kufijtë e saj.

Mirënjohje të thellë për gjithçka na le trashëgimi dhe amanet Baca Adem!

Përqafime të ngrohta e vëllazërore për familjen shumë të dashur Demaçi!

 

Adem Demaçi ishte veprimtar për kauzën kombëtare në kohën e Jugosllavisë dhe ka luftuar për barazinë e Kosovës me Republikat e tjera të Jugosllavisë.

Për angazhimin e tij politik për çështjen e Kosovës, Adem Demaçi vuajti 28 vjet me radhë në burgjet e Jugosllavisë.

Ai është quajtur “Nelson Mandela” e Europës.

Vdes Adem Demaçi