Ilir Meta para të rinjve në Kosovë: Mos ta lëmë atdheun, po përballemi me eksod të heshtur

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, mbajti ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB, me temën “Shqiptarët si faktor stabiliteti në Ballkan”, duke u bërë thirrje të rinjve, që të mos e braktisin vendin.

Sipas tij, është shqetësuese që në trojet shqiptare ka një eksod të heshtur të popullatës.

“Mesazhi im i parë për ju sot është që të çliroheni prej plogështisë dekurajuese dhe kërkimi të një të ardhmeje që u largon nga vendi juaj. Kosova është gjaku që nuk falet kurrë. Mbetet shqetësimi i parë një lloj eksodi i heshtur që po ndodhë mes shqiptarëve në rajon, e konsideroj si një dorëzim ndaj historisë sonë, por edhe ndaj të ardhmes së vendit tonë”, ka thënë Meta.

Ai shtoi se është i lumtur që në prag të festës së 28 Nëntorit, po sheh shumë flamuj shqiptarë nëpër rrugët e Kosovës.

“Dhe me këtë rast duhet të theksojë rëndësinë e ndërgjegjësimit nga të gjithë ne drejtuesit dhe elitat politike, për inkurajim të të rinjve që të qëndrojnë në vendet e tyre, për ta ndaluar shpopullimin e heshtur”, shtoi ai.

Meta po ashtu lavdëroi procesin e zgjedhjeve në Kosovë, duke e konsideruar si një shembull të lartë të demokracisë.

“Zgjedhjet në Kosovë tregojnë se kjo shoqëri është vigjilente, llogari-kërkuese dhe e gjallë, tipare këto që e forcojnë statusin e Kosovës si shtet i pavarur”, ka thënë Meta.

Në mesin e shumë çështjeve, Meta theksoi rëndësinë e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Ai tha që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet që janë bërë në mbledhjet mes qeverive, sidomos ato në fushën e ekonomisë.

“Dua të theksoj rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve tona, i kam përshëndetur që në fillim takimet mes dy qeverive si ajo në Prizren, takim mes dy vendeve vëllazërore e strategjike. Ne ndajmë më shumë se interesa mes vete. Marrëdhëniet mes vendeve tona nuk janë të ndërtuara kundër asnjë vendi, e ardhmja jonë nuk mund të përshkojë rrugën tjetër përpos vëllazërimit të pandërprerë. Uroj që dy vendet tona t’i zbatojnë marrëveshjet tregtare e ekonomike mes vete”, potencoi Meta.

Ilir Meta gjithashtu foli për politikën e fundit të Serbisë karshi vendeve në rajon duke shtuar se nuk duhet të mbyllen sytë përball saj.

“Tani jemi duke u përballur edhe më një rrymë serbo-centriste që po tenton të rigjallërohet në rajon dhe Tirana e Prishtina nuk duhet të rrinë symbyllur me iluzionin se ajo që po ndodhë në vendet në rajon, nuk ka ndikim tek ne. Hyjnizimi i kriminelëve të luftës dhe mohimi i gjenocidit nuk mund të bashkëjetojnë njëkohësisht me aspiratat evropiane”, tha Meta.

Presidenti Meta tha se anëtarësimi në BE është e ardhmja më e sigurt për vendet tona dhe nuk duhet të pranojmë alternativa që devijojnë nga kjo rrugë.

“Andaj ne duhet të refuzojmë çdo shteg që kalon ndryshe nga ai i BE-së. Pjesëmarrja e Kosovës në dialog me Serbinë, do gëzojë gjithmonë mbështetjen tonë pa e cenuar aspak legjitimitetin që kanë institucionet e Kosovës”, tha ai.

Lidhur me iniciativën për ‘Ballkanin e Hapur’ Meta tha se ky projekt po zhvendos vendet nga ombrella evropiane dhe po i jepet Serbisë si koncesion për sjelle më të balancuar në rajon.

Ai tha se për iniciativa të tilla, të gjithë duhet qenë të barabartë, e askush të mos vihet para aktit të kryer.

“Në kuadër të bashkëpunimit rajonal po konstatojmë oscilacione të padobishme në marrëdhënie, duke u sjellë para faktit të kryer. Duhet të ketë barazi mes gjitha palëve. Ky projekt e ndan bashkëpunimin vetëm mes tre vendeve duke e zhvendosur nga ombrella evropiane, pa mbështetje financiare dhe po i jepet Serbisë si koncesion për një sjellje më të balancuar në rajon”, shtoi Meta.

Ai tha se në këtë çështje Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë të bashkuara në mënyrën si mendojnë dhe veprojnë.

Lidhur me procesin e anëtarësimit në BE, Meta tha se vende si Serbia, që ka probleme dhe madje paraqet rrezik për vende tjera ka hapur negociatat, kurse Shqipëria ende jo.

Kjo, ka konsideruar Meta, ka ardhur si pasojë e mos reformave të brendshme dhe mungesës së vullnetit politik në Shqipëri.

Meta këtë takim e mbylli prapë me mesazhin që të rinjtë të mos braktisin vendet, por të shtohet volumi i punës që të rregulluar ligjet dhe sundimin e tyre brenda shteteve.