Foto: Ilir Meta/Facebook

Ilir Meta flet për vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka reaguar një ditë pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur në favor të presidentit Hashim Thaçi në të gjitha çështjet e ngritura nga Lëvizja Vetëvendosje.

Presidenti Meta ka thënë se gjithmonë ka respektuar Kushtetutën dhe institucionet e Kosovës.

“Lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, dua të nënvizoj se gjithmonë kam respektuar Kushtetutën dhe institucionet e Republikës së Kosovës, dhe këtë do ta bëj gjithmonë”, ka shkruar Meta në Facebook.

Meta ka shtuar se është shumë e rëndësishme që në Kosovë të mbizotërojë sjellja europiane ndaj institucioneve.

Gjykata Kushtetuese dje e ka shpallur aktgjykimin rreth dekretit të presidentit të vendit Hashim Thaçi, përmes së cilit ky i fundit mandatoi për kryeministër Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Gjykata ka vendosur që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses.