Ilir Meta e pret në takim Richard Grenellin

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta është takuar gjatë ditës së sotme me ish-të dërguarin special të ShBA-së për negociatat e paqes mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell.

Meta përmes një postimi në rrjetin social Tëitter duke vlerësuar angazhimin e Grenell në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara tha se është kënaqësi ta ketë Grenellin në Shqipëri dhe në zyrën e tij.

“Është gjithmonë kënaqësi të kesh Richard Grenell në Shqipëri dhe në zyrën time. Vlerësohet shumë angazhimi i tij në mbështetje të forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara”, shkruan Meta.

Edhe gjatë muajit gusht të këtij viti Grenell kishte vizitë në Shqipëri ku kishte takuar presidentin e Shqipërisë Ilir meta dhe kryeministrin Edi Rama.

Gjatë ditës së djeshme në KALLXO.com është raportuar deklarata e analistit nga Serbia, Dushan Janjiq se ish i dërguari i Administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, paguhet 100 mijë dollarë në muaj nga shteti serb për lobim.

Ky ishte një pretendim i analistit politik serb, Dushan Janjiq i cili kur është pyetur se nëse presidenti serb Aleksandar Vuçiq po paguan shumë për lobim, Janjiq kishte thënë se “Serbia po paguan shumë” porse ai nuk e di shumën.

“Ne madje e paguajmë Grenellin 100 mijë dollarë në muaj, nuk e di pse, kur shefi i tij nuk është në pushtet”, citohet të ketë thënë Dushan Janjiq, raporton portali “Antena M”.