Rama - Meta

Ilir Meta e kthen në Kuvend paketën ‘anti-shpifje’ të Edi Ramës: ‘Shkel Kushtetutën’

Presidenti Ilir Meta ktheu në Kuvend për rishqyrtim të ashtuquajturën paketa ‘anti-shpifje’, duke argumentuar se projektligjet e fuqizojnë Autoritetin e Mediave me kompetenca që Kushtetuta nuk ia lejon dhe cënojnë lirinë e shprehjes.

 

Presidenti i Republikës ktheu të dielën në Kuvend për rishqyrtim dy projektligje shumë të debatuara, pjesë e të ashtuquajturës ‘paketa anti-shpifje’, që i jepnin fuqi Këshillit të Ankesa brenda Autoritetit të Mediave Audiovizive, të rregullonte përmbajtjen e mediave online, duke vendosur sanksione dhe gjoba.

“Shqetësimet për përhapjen e lajmeve të rreme, apo ndikimit negativ të dezinformimit, duhet të adresohen në mënyrë të tillë që çdo mjet ligjor mbrojtës ndaj këtyre fenomeneve të mos rrezikojë në asnjë rast, të vendosë në disbalancë, apo të krijojë rrezikun e keqpërdorimit të këtyre mjeteve ligjore për të cënuar të drejtën për informacion, lirinë e shprehjes dhe të medias apo dhe lirinë për veprimtari ekonomike, të drejta këto që gëzojnë mbrojtje të posaçme nga Kushtetuta dhe aktet ndërkombëtare,” tha Presidenca në një njoftim për shtyp.

“Ndërsa delegimi me ligj një organi administrativ i kompetencave që Kushtetuta nuk ia lejon, mungesa e transparencës në procedurën e vendimmarrjes, dhe aplikimi i sanksioneve disproporcionale dhe pa kaluar në shqyrtimin gjyqësor, nuk është në balancë mes interesit publik për mbrojtjen nga lajmet/informacionet e rreme, dhe të drejtës për informim, lirisë së shprehjes dhe zhvillimit të aktivitetit ekonomik në fushën e publikimeve elektronike,” shtoi ajo.

Nëpërmjet dekretit të shpallur të dielën, Presidenti Meta ktheu në Kuvend ligjin nr. 91/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar”, si dhe ligjin nr. 91/2019 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918 datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, të miratuar me 18 dhjetor mes protestave nga gazetarët dhe kundërshtive nga Këshilli i Europës, Komisioni Europian dhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare të medias.

Miratimi i dy projektligjeve u dënua menjëherë pas votimit në Kuvnend nga Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias, ECPMF..

“Ne i dënojmë ndryshimet e ligjeve të medias që sapo u votuan në Kuvendin e Shqipërisë,” deklarojë ECPMF nëpërmjet një deklarate nw Twitter.

Ndaj votimit të paketës ligjore kanë reaguar dhe 16 organizata vendase të lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut, të cilat dënuan miratimin e nismës ligjore. Grupimi i organizatave firmëtare përfshin dhe botuesin e Reporter.al, BIRN Albania.

“Ne i bëjmë thirrje gazetarëve të vijojnë punën për të raportuar drejtë dhe saktë dhe të mos frikësohen nga ekzistenca e këtyre ligjeve regresive,” thanë organizata nëpërmjet një njoftimi për shtyp.

Presidenca nënvizojë se Kuvendi nuk i ka publikuar deri në shpalljen e dekretit këto projektligje, duke shfaqur një “mungesë transparence të theksuar përkundrejt publikut.”

Nëpërmjet dekretit të nr.11413, i cili kthen në Kuvend për rishqyrtim dy projektligjet e paketës ‘anti-shpifje’, Presidenti shprehet se ka për qëllim përmirësimin e këtyre ligjeve në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe aktet ndërkombëtare, duke pasur parasysh rregullat strikte për ngritjen e funksionimin e organeve administrative të pavarura, si dhe rivlerësimin e nivelit të masave administrative të parashikuara.