Ilir Ferati përballë premtimeve të tij në "Jeta në Komunë"
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati pati dhënë disa premtime të cilat thoshte tri vite më parë se do t’i realizonte gjatë mandatit të tij si kryetar i komunës. Disa prej projekteve të tij madhore ishin edhe ndërtimi i kolektorit për ujëra të zeza, një zonë të re ekonomike, ndriçim e ujë në të gjitha fshatrat.
Tre vite pas, i ulur përballë Jeta Xharrës ai përballet me këto premtime dhe situatën reale në terren.
Ekipi i “Jeta në Komunë” ka verifikuar disa nga projektet të cilat janë bazike për qytetarët të cilët jetojnë në komunat e Kosovës.
Për kolektorin e ujërave të zeza Ferati pati thënë se është projekt që kushton 6 milionë euro dhe e pati thënë se pritej të kryhej brenda mandatit 4-vjeçar të tij.
Në terren, kolektori ende nuk ka nisur që të ndërtohet ndërsa Komuna e Istogut ka thënë se tashmë ka filluar studimi i fizibilitetit si dhe janë duke zhvilluar negocime me organizata të Bashkimit Europian dhe ministritë e linjës për të financuar këtë projekt.
Një tjetër premtim i Feratit ishte edhe ndërtimi i një zone ekonomike ngjitur me zonën industriale në Istog që do të kushtonte 300 mijë euro dhe do të implementohej nga buxheti komunal bashkë me Ministrinë e Tregtisë.
Edhe ky premtim ende nuk është realizuar.
“Në vitin 2024 jemi përfitues nga thirrja e MZHR-së për ndërtimin e zonës ekonomike që e ka premtuar kryetari dhe e njëjta pritet të përfundojnë brenda vitit 2024. Ne e kemi ndërtuar një zonë të re ekonomike në Banjë të Istogut, në të cilën operojnë 27 biznese”- thuhet në përgjigjet e Komunës së Istogut.
Një premtim që është realizuar është ai për digjitalizimin e platformës online të bjeshkatërisë e të gjitha destinacioneve turistike të Istogut.
“Është krijuar platforma me të gjitha të dhënat e nevojshme për komunën e Istogut duke përfshirë: atraksionet turistike, shtigjet për hiking, bikin dhe paraglaiding, si dhe zonat me interes të veçantë, portali është i qasshëm në linkun http://istogumap.com”- thuhet në përgjigjet e komunës.
Komuna e Istogut ka 13 drejtori, e vetëm dy nga to i udhëheqin gratë. As ky premtim nuk është realizuar pasi Ferati pati thënë se përafërsisht deri në 50 përqind të drejtorive do të udhëhiqen nga gratë.
“Secili fshat i Komunës së Istogut, me prioritete zonat urbane edhe zonat që janë rreth shkollave, do të kenë ndriçim brenda mandatit”- kishte premtuar Ferati në debatin e vitit 2021 përballë Jeta Xharrës.
E në vitin 2024 ka ende fshatra të cilat ende nuk janë të kyçur në ndriçim publik.
“Gjatë dy viteve (2022 dhe 2023) kemi përfshirë gjithsej 26,455 metra ndriçim publik. Fshatrat që nuk janë të kyçura në ndriçim: Kaliqani, Dobrusha (Pjesërisht), Lubovë (Pjesërisht), Prigodë, Dubovë e Vogël, Kashicë (Pjesërisht) Prekallë, Drejë, Kosh, Veriq, Dubravë, Kërrninë, Shushicë, Padalishtë, Cerkolez, Suriganë”- thuhet në përgjigjet e komunës.
Dy çerdhe, ajo në qendër të Istogut si dhe në fshatin Gurrakoc ende nuk janë realizuar.
“Një çerdhe të re që kushton 300 mijë euro dhe që mendoj se do të përfundoj brenda dy viteve, çerdhja në fshatin në Gurakoc është ndërtu në vitin 2004 është një shtëpi dhe nuk i plotëson kushtet, çerdhe e re në Istog, çerdhe e re në Vrellë, dyfishim i kapaciteteve në Banjë. Në bazë të kërkesave edhe rritje të kapaciteteve në Rakosh, unë mendoj që mbërrijmë s’po thom 100 përqind sepse në Zvicër nuk jemi, sepse shkop magjik s’kemi por 90 përqind e fëmijëve të Istogut kanë me pas qasje në shërbimet e çerdheve”- thoshte Ferati.
Ekipi i “Jeta në Komunë” ka verifikuar edhe këtë premtim dhe ka dalë se dy çerdhet e premtuara në Istog e Gurrakoc nuk kanë nisur ende.
“Në çerdhen e bashkësisë lokale në Banjë është shtuar edhe një klasë shtesë për të mbuluar të gjitha kërkesat për çerdhe që adresohen nga qytetarët për fëmijët e tyre. Është finalizuar rinovimi i kopshtit të fëmijëve në Rakosh, si dhe çerdhe e re në Vrellë. Po ashtu është në fazë të ri-tenderimit çerdhja e re në Gurrakoc në vlerë totale prej 700 mijë euro”- kanë dhënë detaje komuna për çerdhet e tjera të cilat ka pasur renovime apo ndërtime.
Projekti tjetër që kishte premtuar Ferati ishte edhe themelimi i Ndërmarrjes Banesore. Kjo ndërmarrje nuk është themeluar ende ndërsa pritet të funksionojë si departament.
“Nuk është krijuar Ndërmarrja Banesore pasiqë jemi në procesin e shthurjes nga KRM Ambienti në bashkëpunim me të gjitha komunat të cilat janë pjesë e kësaj ndërmarrje, më pastaj njësia e Istogut kalon si Ndërmarrje Publike Lokale, ku edhe është planifikuar që të jetë pjesë e kësaj ndërmarrje njësia e Ndërmarrjes Banesore si departament”- thuhet në përgjigjet e Komunës së Istogut.
As mësimi tërëditor nuk është realizuar si premtim i kryetarit Ferati ndonëse ai thotë se kjo vjen si pasojë e mungesës së planifikimit të politikave të reja të arsimit.
“Mungesa e planifikimit të politikave të reja të arsimit, konkretisht nga MASHTI, ka bërë që të mos kemi mësim gjithë ditor, pasi që nuk ka buxhet të mjaftueshëm nga granti specifik i arsimit për këto politika të reja”- vazhdojnë përgjigjet e komunës.
Një premtim i cili pritet të shihet në fund të mandatit nëse do të realizohet është edhe ajo për dyfishim të bursave për studentë të Istogut.
“Në vitin 2021 janë dhënë 82 bursa, vlera 49,200 euro. Në vitin 2022/23 janë dhënë 133 bursa – 61,000 euro dhe në vitin 2023/24 janë dhënë 139 bursa në vlerë prej 94,200 euro. Gjithsej nga viti 2021 deri në këtë vit kemi 194 bursistë komunal me buxhet total prej 135 mijë e 800 euro”- thuhet në përgjigjet e komunës.
Premtimi tjetër i Feratit ishte edhe funksionalizimi i repartit të maternitetit në QKMF në Istog, modernizmi i QMF-ve ekzistuese, si dhe një QKMF që është pjesë e buxhetit të nivelit qendror.
Në terren ekipi i “Jeta në Komunë” ka parë se ka filluar puna përgatitore për t`u ndërtuar objekti i ri i QKMF-së ndërsa reparti i maternitetit ende nuk është funksionalizuar.
“Ka filluar ndërtimi i QKMF-së së re. Funksionalizimi i repartit të maternitetit nuk është bërë për arsye se janë bartur pajisjet nga QKMF-ja, për ndërtimin e QKMF-së së re dhe aty ku janë vendosur nuk është hapësira e duhur për të qenë në funksion. Kujtojmë se reparti i gjinekologjisë është në funksion dhe e kemi bartur në QMF- Gurrakoc”- thuhet në përgjigjet e komunës.
Në anën tjetër, ekipi ka parë edhe se disa nga QMF-të që janë ndërtuar e promovuar nga kryetari Ferati janë të mbyllura për shkak të mungesës së stafit mjekësor.