Ilir Ferati ende nuk i emëron drejtorët komunalë në Istog

Komuna e Istogut ende nuk ka arritur që të formojë kabinetin e saj qeveritar ani pse kanë kaluar më shumë se 2 muaj prej marrjes së detyrës nga kryetari Ilir Ferati.

Kryetari i Komunës, Ilir Ferati tha për KALLXO.com se drejtorët priten të emërohen deri në javën e ardhshme.

“Kjo është një çështje politike që nuk kanë një deadline ligjor”, u shpreh ai.

Mirëpo, KALLXO.com më 25 janar të këtij viti kishte kontaktuar me kryetarin Ferati, i cili kishte thënë se kabineti i tij do të plotësohet në javën e parë të shkurtit.

“Datë të saktë nuk ka, mirëpo java e parë e shkurtit është afati i fundit”, ishte shprehur ai.

Por sot ai tha se plani ka qenë për javën e parë të shkurtit, po ka ndodhur të shtyhet.

Gjatë ditës së djeshme kryesuesja e Kuvendit Komunal të Istogut, Fjolla Ukaj është shkarkuar nga detyra.

Asamblistja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është shkarkuar në seancën urgjente të thirrur nga kryetari Ilir Ferati.

Ferati tha për KALLXO.com se vendimin për shkarkimin e Fjolla Ukajt ka qenë vendim i Kuvendit Komunal

Më 6 dhjetor të vitit të kaluar, Ferati ka marrë zyrtarisht detyrën e kryetarit të Istogut.

LDK në Istog është në koalicion me PDK-në.

Sipas kësaj marrëveshje, PDK përveç që do të udhëheqë me nënkryetarin e Komunës, po ashtu do të kenë edhe drejtorinë e Bujqësisë, drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport dhe atë të Administratës.