Ilir Bytyçi zgjidhet anëtar i Bordit të RTK-së
Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur Ilir Bytyçin, anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, me mandat dyvjeçar.
Nga 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës, Ilir Bytyçi mori 71 vota, ndërkaq kundërkandidati i tij Bul Salihu ka marrë pesë vota.
Ndërkaq, katër vota u shpallën të pavlefshme.
Votimi për 1 anëtar të Bordit të RTK-së është bërë në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur sot më 12.09.2024.
RTK ka hapur konkurs edhe për tre anëtarë të bordit më 28.08.2024, pas dorëheqjes së kryetarit të bordit, Besnik Boletini dhe anëtarëve Arta Berisha e Safet Kabashaj.
Megjithatë, Ligji për RTK-në thotë që dorëheqja duhet të njoftohet të paktën tre muaj përpara, prandaj të tre do të vazhdojnë të jenë anëtarë edhe për tre muaj pas dorëheqjes.
Dorëheqjet erdhën pas publikimit të një artikulli në RTK të marrë nga media boshnjake “Slobodna Bosna”, e cila etiketonte dy media të Kosovës si të ndikuara dhe financuara nga Serbia.