Ilir Bytyçi jep dorëheqje nga Bordi i RTK-së

Ilir Bytyçi anëtar i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë.

Në letrën e dorëheqjes të siguruar nga KALLXO.com, Bytyçi thotë se nuk është i gatshëm të barazohet me veprimet e disa personave që kanë mundur t’i kontribuojnë në përkeqësimin e gjendjes së RTK-së.

“Unë nuk jam i gatshëm të barazohem me personat që me veprimet e veta mund t’i kenë kontribuar përkeqësimit të gjendjes në mediumin publik. Distancohem publikisht nga çdo veprim i kundërligjshëm apo shkelje eventuale të kodit etik e profesional, si dhe të vlerave njerëzor, pavarësisht se kush mund t’i ketë bërë këto”, thuhet në letrën që Bytyçi ia ka dërguar kryesuesit të bordit të RTK-së, Sali Bashotës.

Bytyçi thekson se dorëheqja e tij është në shenjë pakënaqësie dhe pamundësie për të bërë ndryshime në bordin dhe menaxhmentin e RTK-së.

“Prandaj në shenjë pakënaqësie dhe pamundësie për të bërë ndryshime në bord dhe menaxhment si dhe me gjithë situatën e krijuar në RTK, unë jap dorëheqje për arsye morale dhe profesionale nga Bordi i RTK-së”, vazhdon letra e dorëheqjes.

Dorëheqja e Ilir Bytyçit vie një ditë pas inicimit të shkarkimit të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës për në Kuvend nga Komisioni për Media.

Inicohet për në Kuvend shkarkimi i bordit të RTK-së