Ilir Berisha i kthehet futbollit të Kosovës pas 7 vitesh të kaluara në Suedi

Ish-lojtari i Prishtinës është kthyer nga Suedia për të vazhduar karrierën në elitën e futbollit të Kosovës.

 

 

Qendërmbrojtësi Ilir Berisha i është bashkuar klubit kampion – Feronikelit.

Më 2012, Berisha ishte bërë pjesë e klubit suedez Orebro SK.

Më pas, ai kishte luajtur një sezon e gjysmë për Flamurtarin në Shqipëri, për t’u kthyer sërish te klubi suedez.

Në një intervistë për KALLXO.com, Ilir Berisha tregon arsyen që e shtyri t’i kthehet futbollit kosovar pas 8 viteve.

“Kanë qenë të shumta arsyet, një ndër to ka qenë edhe ekipi i trajnerëve Agim Sopi dhe Albert Bunjaki, të cilët më kanë bërë për me mendu këtë mundësi. Pastaj edhe kryesia të cilët kanë bërë për me u rikthy, më kanë shty për me marrë këtë vendim dhe me u rikthy në futbollin kosovar edhe aq ma tepër që Feronikeli në këtë 3-4 vitet e fundit është tregu superfuqi në futbollin kosovar dhe më ka detyru që me e marrë këtë vendim”, tregon Ilir Berisha për KALLXO.com.

Lojtari më i ri i Feronikelit thotë se prej vitit 2012 e deri tani është rritur niveli i futbollit kosovar, duke përfshirë këtu edhe financat e klubeve.

“Patjetër që po, po flasim për shtatë vite. Në vitin 2012 kur kam dalë kanë qenë edhe kushtet shumë më të vështira të zhvillimit të futbollit në Kosovë. Tashti pas shtatë viteve normal që është rritur edhe kualiteti edhe vet arritjet të kombëtares së Kosovës e kanë rrit nivelin e ligës së Kosovës. Domethënë ka prurje të reja, lojtarë nga jashtë kanë ardhë dhe normal që financat janë më të mira dhe është rritur edhe kualiteti. Ende nuk kam hasur të luaj vet dhe ta shohë ndryshimin, por çka kam pa, çka i kam përcjellë ndeshjet patjetër që ritmi dhe kualiteti i ligës së Kosovës është dukshëm më i mirë se sa ishte para 7-8 viteve”, tregon Berisha.

Ilir Berisha beson se Feronikeli është në garë për titullin e kampionit pavarësisht se është shtatë pikë larg kryesuesit të tabelës.

“Patjetër që po, nuk besoj që në futbollin kosovar ka një ekip që veçohet nga të gjitha të tjerat, por aty janë të gjitha ekipet, thjeshtë ajo ekip që dinë ta mbaj vetën më së në formë dhe qëarrinë t’i plotësoj ato kushte të cilat janë për me fitu një kampionat, në fund do të dalë edhe kampion. Është një garë shumë e gjatë akoma dhe diferenca nuk është shumë e madhe, kështu që do të jetë luftë e hapur besoj”, përfundon Ilir Berisha për Kallxo.com.

Kampioni në fuqi, Feronikeli, e ka përmbyllur sezonin vjeshtor në vendin e pestë me 27 pikë, shtatë më pak se Ballkani që është lider.

Klubi nga Drenasi është në garë edhe për Kupën e Kosovës.