Vaksina, ilustrim Foto: Pixabay

IKShPK: Vaksina kundër HPV, tani e tutje ofrohet edhe për vajzat nga 13 deri në 21 vjeç

Vajzat nga mosha 13 deri në 21-vjeç, tani e tutje do të mund ta marrin vaksinën kundër Human Papilloma Virusit (HPV), i cili i mbron ato prej kancerit të qafës së mitrës, sipas njoftimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK).

Deri më tani, kjo vaksinë u është dhënë vetëm vajzave të klasave të gjashta (12-vjeçare), sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit.

“Tani ka filluar faza e dytë, gjatë të cilës, deri më 31.12.2024, vaksinën kundër HPV mund ta marrin edhe vajzat të cilat për arsye të ndryshme, nuk janë vaksinuar gjatë fazës së parë” – thuhet në njoftimin e IKShP-së më 27.09.2024.

IKShPK tregon se vaksinimi për grupmoshën 13-21 bëhet në baza vullnetare, nëpër të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare në komunat përkatëse dhe në IKShPK.

Deri më tani janë vaksinuar mbi 9 mijë vajza.

Kjo vaksinë i është shtuar kalendarit të rregullt të vaksinimit tash e një vit. Ministria e Shëndetësisë kishte njoftuar më 22.02.2024 se ka siguruar mbi 15 mijë doza të kësaj vaksine.

Çka është vaksina HPV?

Vaksina HPV mund të parandalojë më shumë se 90 për qind të kancereve të ndërlidhura me Human Papilloma Virusin, thotë IKShPK.

“Është vaksinë jashtëzakonisht efikase, e sigurt dhe dëshmitë shkencore tregojnë se është një nga vaksinat me më së paku efekte të padëshiruara anësore” – thotë Instituti.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), HPV është infeksion seksualisht i transmetueshëm, i cili prek pothuajse të gjithë njerëzit seksualisht aktivë në një moment të jetës së tyre. Por, kjo ndodh zakonisht pa simptoma.

Për HPV-në aktualisht nuk ka asnjë trajtim dhe OBSh thotë se vaksina nuk përdoret për të trajtuar infeksionet HPV ose sëmundjet e shkaktuara nga HPV, por për të parandaluar zhvillimin e kancerit.

“Sistemi imunitar zakonisht pastron HPV-në nga trupi brenda një ose dy viti pa efekte të qëndrueshme. Disa infeksione HPV shkaktojnë gunga të vogla të vrazhda (lytha gjenitale) që mund të shfaqen në vaginë, penis ose anus dhe rrallë në fyt” – thotë OBSh.

Por, në rastet kur infeksioni nuk largohet vetvetiu, ai mund të shkaktojë ndryshime në qelizat e qafës së mitrës, të cilat çojnë në parakancer që mund të shndërrohen në kancer të qafës së mitrës nëse nuk trajtohen. Sipas OBSh-së, zakonisht duhen 15-20 vjet që kanceri i qafës së mitrës të zhvillohet pas infeksionit HPV.

Kanceri i qafës së mitrës është lloji më i zakonshëm i kancerit të shkaktuar nga HPV, e kancere të tjera më pak të zakonshme që prekin burrat dhe gratë, përfshijnë kancerin anal, vulvar, vaginal, kancerin në gojë/fyt dhe në penis.

Sipas statistikave, në vitin 2019, HPV shkaktoi rreth 620 mijë raste kanceri te femrat dhe 70 mijë raste kanceri te meshkujt.