Ilustrim

IKShPK: Uji në Marec nuk është për pije, përbën rrezik potencial për shëndetin e banorëve

Në fshatin Marec të Prishtinës, resuret e ujit kanë potencial të madh të mundeshëm të ndotjes, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë.

Sipas tyre, mostra e marrë nga IKShPK nga burimi natyror i ujit në një familje të këtij fshati, tregon se uji si i tillë nuk është për pije dhe përbën rrezik potencial për shëndetin e banorëve.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, pas disa shqetësimeve të ngritura ka inspektuar resurset e ujit në këtë terren dhe ka dalë në përfundim se këto resurse janë të pambrojtura dhe si të tilla me potencial të madh të mundshëm të ndotjes.

“Në favor të kësaj flet edhe mostra e ujit e marrë në familjen Pacolli (furnizohet nga burimi natyror) e cila rezultoi me mungesë të klorit rezidual, me turbullirë të shtuar (mbi 20 NTU) dhe me ngjyrë të ujit të verdhë në të gjelbër. Ky ujë si i tillë nuk është për pije dhe përbën rrezik potencial për shëndetin e banorëve. Po ashtu, edhe rezultati i analizës kimike ka mos përputhshmëri me standardet e paraparë sipas UA nr. 10/2021 ”Cilësia e ujit për konsum nga njeriu” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Ndërkaq, rezultatet bakteriologjike thuhet se priten pas 48 orëve.

IKShPK ka rekomanduar Komunën e Prishtinës  dhe KRU ”Prishtina” që secila prej tyre në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të ndërmarrin masa të nevojshme për zgjidhjen afatgjate të furnizimit me ujë të sigurt për banorët e kësaj zone.

Deri në zgjedhjen afatgjate të problemit të furnizimit me ujë, IKShPK rekomandon banorët që burimet natyrore ekzistuese dhe puset individuale të pastrohen mekanikisht nga mbeturinat, të mirëmbahen (të sanohet kaptazha, rezervuari dhe gypi shpërndarës) dhe përfundimisht uji të dezinfektohet.

Zbatimi i këtyre masave, sipas IKShPK-së është i domosdoshëm për tejkalimin e problemit aktual të cilësisë së ujit për pije dhe rrjedhimisht mbrojtjen e shëndetit të popullatës.