Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

IKSHPK sqarohet në lidhje me rastin e vdekjes së 19 vjeçares

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka sqaruar rastin e 19-vjeçarees nga Mitrovica që vdiq dje, e që ishte e përfshire në listën e vdekjeve nga COVID-19. Familja e të ndjerës e vuri në dyshim këtë raportim të IKSHPK-së.

“Laboratorët e IKSHPK-së njoftojnë se mostra e pacientes N. Sh. (2001) nga Mitrovica fillimisht është dërguar në IKSHPK Prishtinë më datën 2 janar 2021 me kërkesën e Spitalit të Përgjithshëm në Mitrovicë, përmes Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Mitrovicë. Pas testimit me Real Time PCR mostra ka rezultuar pozitive në SARS-CoV-2 dhe pasditen e 2 janarit 2021 rezultati i është përcjellë QRSHP në Mitrovicë dhe më pastaj autoriteteve në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë. Një mostër tjetër e pacientës N. Sh. (2001), Mitrovicë, është dërguar në IKSHPK e referuar nga Mjekimi Intensiv Qendror, QKUK, Prishtinë me datën 3 janar 2021 dhe e njëjta ka rezultuar pozitive në SARS-CoV-2”, thuhet në sqarimin e IKSHPK-së.

Në një komunikatë për media, IKSHPK-ja ka thënë se mostrat e pacientes janë testuar sipas protokolleve të punës dhe se IKSHPK-ja nuk është institucion për përcaktimin e shkaqeve të vdekjeve të qytetarëve.

Nazlije Sherifi ishte duke u trajtuar në QKUK, dhe për shërimin e saj ishte treguar i gatshëm t’i  dhurojë veshkën një qytetar i Deçanit, Valmir Aliçkaj./RTV 21