Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

IKSHPK shpjegon se sa i rëndësishëm është vaksinimi antiCOVID-19

Përmes përgjigjeve që i ka dhënë Instituti i Shëndetësisë Publike në Kosovë, ka treguar se cila është rëndësia e vaksinimit kundër COVID – 19.

Sipas IKSHPK-së, vaksinimi është mënyra më e thjeshtë, më e sigurt dhe më efektive për të mbrojtur njerëzit nga COVID-19 dhe se duke u vaksinuar shpëtohen jetë.

Ata thanë se kuptimi i efikasitetit 95%  për vaksinat kundër COVID – 19 është se tek personat e vaksinuar e ulet mundësia e prekjes nga ky virus për 95%, krahasuar me personat që nuk e kanë marrë vaksinën.

“Këto rezultate vijnë pas dozës së dytë, e cila e rrit përgjigjen imunitare të organizmit”, thuhet në njoftim.

Një tjetër përgjigje që ata dhanë është edhe se personat e vaksinuar kanë më pak gjasë, se sa ata të pa vaksinuar, të transmetojnë infeksionin tek personat e tjerë.

Se sa janë të sigurta vaksinat kundër COVID-19 në Kosovë, ata thonë se Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratuara nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave.

Të njëjtit treguan se edhe personat që janë të shëruar nga COVID – 19 duhet të vaksinohen.

Po ashtu efikasiteti i vaksinës kundër hospitalizimit të personave të sëmurë me variantin Delta, është 75% pas dozës së parë dhe rritet në 94% pas dozës së dytë, thonë në IKSHPK.

Ndërsa sa i përket variantit Alfa, këto shifra janë 78% pas dozës së parë dhe 92% pas dozës së dytë.

IKSHPK nuk e përjashton mundësinë që personat e vaksinuar të preken prapë nga variant Delta.

“Kjo ndodh shumë rrallë dhe zakonisht te personat që nuk e kanë kryer vaksinimin e plotë me dy doza”, shpjegohet në njoftim.

Njoftimin e plot mund ta gjeni këtu.