Dorëzimi i testeve molekulare Foto: IKShPK

IKShPK pranoi 1050 teste molekulare për COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka pranuar sot 1 mijë e 50 teste molekulare për COVID-19 nga Fondi për Zhvillimin e Komunitetit (CDF).

Testet molekulare janë siguruar nga fondet e mekanizmit C19RM të Fondit Global, të zbatuara nga Programi i HIV-it në CDF. Këto teste janë një nga teknologjitë më të reja dhe më të sakta të testimit molekular për Covid -19”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

Sipas njoftimit, këto teste janë të shpejta dhe shfrytëzojnë aparaturën GeneXpert të dhuruar për IKSHPK nga Granti i Fondit Global për Programin e Tuberkulozit, të menaxhuar nga CDF.

“Me futjen në përdorim të kësaj metode do të forcohet dhe diversifikohet sistemi i diagnostikimit të hershëm molekular të Covid -19 dhe kursehen resurset e qytetarëve të Kosovës”, thuhet tutje në komunikatë.

Deri më tani në Kosovë nga virusi COVID-19 kanë vdekur 616 persona, janë infektuar 15 mijë e 270 persona dhe janë shëruar 12 mijë e 900.