Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

IKShPK: Pothuasje të gjitha rastet e ditëve të fundit janë me Omicron

Numri i rasteve pozitive me coronavirus në nivel vendi brenda ditës është duke kaluar mbi 2 mijë e në anën tjetër radhët e qytetarëve për testim janë të gjata.

Nga Departamenti i Mikrobiologjisë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike thonë se pothuajse të gjitha rastet pozitive gjatë javëve të fundit janë me variantin e ri “Omicron”.

“Sipas këtij trendi, varianti i vetëm në qarkullim në Kosovë pritet të jetë varianti Omicron i SARS-CoV-2”, thuhet në përgjigjen e Institutit për KALLXO.com.

Sipas Institutit, nga 48 mostrat e testuara më 13 janar, 46 prej tyre apo 95.8% kishin rezultuar pozitive me “Omicron”.

Ndërsa më 5 janar 2022 në laboratorin e institutit janë testuar 34 mostra prej të cilave 24 kishin rezultuar me “Omicron” apo 70,5% prej tyre.

Të gjitha mostrat të cilat pranohen në Departamentin e Mikrobiologjisë në IKShPK fillimisht detektohen nëse janë të prekura nga COVID-19, pastaj mostrat të cilat rezultojnë pozitive selektohen nëse janë të prekura me variantin “Omicron”.

Departamenti i Mikrobiologjisë detekton variantin “Omicron” përmes testeve RT PCR.

Simptomat e variantit “Omicron” janë duke u cilësuar më të lehta se COVID-19, dhe sipas ekspertëve shumica e qytetarëve janë duke e tejkaluar infeksionin duke mos u shtrirë në spitale apo klinika.

Aktualisht në nivel vendi janë 7 mijë e 266 raste aktive me COVID-19, përderisa brenda ditës janë regjistruar 2 mijë e 50 raste pozitive.

COVID-19 për më tepër se një vit ka prekur mbi 169 mijë qytetarë prej tyre rreth tre mijë kanë vdekur.