Ministrja Albena Reshitaj - Foto: KALLXO.com

IKShPK përgënjeshtron deputeten Albena Reshitaj rreth raportimit të drejtorit Naser Ramadani

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka reaguar ndaj deklaratës së kryetares së Komisionit parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj.

Instituti njofton se sot drejtori Naser Ramadani si i ftuar ka marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit parlamentar, në të cilën ka prezentuar situatën epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë dhe është përgjegjur në pyetjet e anëtarëve të Komisionit.

Në demant, Instituti thekson se nuk qëndron ajo që në disa portale citohet të ketë deklaruar kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Albena Reshitaj, se “Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik na është thënë se nuk kanë pasur shumë përkrahje institucionale gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu, Kosova nuk ka pas kapacitete të mjaftueshme të bëjë testime të mjaftueshme, sidomos për të riatdhesuarit.”

“Përkundrazi, Prof. Naser Ramadani ka deklaruar para anëtarëve të komisionit se të gjitha rekomandimet e IKSHPK janë marrë parasysh nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës dhe janë shndërruar në masa të cilat kanë pasur efekt në zbutjen dhe mbajtjen në kontroll të situatës epidemiologjike”, thuhet në reagim.

Po ashtu, sipas njoftimit, drejtori Ramadani ka deklaruar se ka pasur kapacitete të mjaftueshme të bëhen testime dhe se asnjë person që ka pasur indikacione epidemiologjike nuk ka mbetur pa u testuar.

“Lidhur me të gjitha këto deklarime para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, ekziston transkripti dhe dëshmitë e anëtarëve të Komisionit të pranishëm në mbledhje”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.

Ndërsa, deputetja Albena Reshitaj, ka deklaruar se në takimin e sotëm nga drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, janë informuar ndër të tjera se “Kosova nuk ka pasur dhe nuk ka kapacitete që ti bëhen teste të gjithë të riatdhesuarëve”, se “Instituti nuk monitoron situatën nē Veri, pra vetëm mirren të dhënat statistikore”e se “testimet nē Veri realizohen nga komunat veriore”.

Po ashtu, deputetja ka deklaruar se drejtori Ramadani ka thënë se “IKSHPK-së nuk ka pasë shumë përkrahje institucionale në të kaluarën, duke pas parasysh edhe mungesën e ligjeve të mirëfillta”.

Kjo është deklarata e plotë e deputetes Albena Reshitaj e publikuar në Facebook:

“Me qëllim të informimit nga afër me të gjitha zhvillimet sa i përket situatës me Covid-19 si dhe menagjimit të saj , sot në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale patëm të ftuar Drejtorin e IKShPK-së z.Naser Ramadanin, dhe Drejtorin e SHSKUK-së z.Basri Sejdiu.

Nga takimi morëm informata që: Një mijë testet e ardhura nga Serbia ende nuk janë përdorur; Kosova nuk ka pasur dhe nuk ka kapacitete që ti bëhen teste të gjithë të riatdhesuarëve; Instituti Kombëtar i Shëndetësisë nuk monitoron situatën nē Veri, pra vetëm mirren të dhënat statistikore; Testimet nē Veri realizohen nga komunat veriore.
Nga drejtori Ramadani morëm informata që Instituti i IKSHPK-së nuk ka pasë shumë përkrahje institucionale në të kaluarën, duke pas parasysh edhe mungesën e ligjeve të mirëfillta.

Sipas Institutit, bazuar në numrin e vogël të testimeve në vendin tonë, lëvizjet në grupe të mëdha pas masave të lehtësimit, tubimet në sheshe, janë të ndalueshme dhe tē rrezikshme!

Shqetësim i disa antarëve të komisionit ishte që ende nuk kemi përgjigje se Kujt i raportojnë ekipet mjekësore që veprojnë në Aeroport!”.