Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, Foto: Facebook

IKShPK përballet me mungesë të epidemiologëve dhe mikrobiologëve në kohën e pandemisë

Një muaj pas rasteve të para me coronavirus, Instituti i Shëndetësisë Publike mbrëmë ka njoftuar rreth mungesave të resurset humane të specializuara në epidemiologji deh mikrobiologji që po ballafaqohet në kohën e pandemisë COVID-19.

Sipas Institutit, në IKShPK janë 22 epidemiologë për të gjithë vendin ndërsa nevojiten edhe 17 specialistë të tjerë.

“Në IKShPK janë 22 epidemiologë për të gjithë vendin (përfshirë të punësuarit në 6 qendrat rajonale). Ndërsa 5 epidemiologë të tjerë punojnë në QKMF (Në 5 komuna: Obiliq, Podujevë, Istog, Drenas dhe Viti). Për nevojat bazike në një situatë të zakonshme nevojiteshin edhe 17 specialistë të tjerë. (5 specializantë për Epidemiologji për nivelin qendror dhe për çdo Qendër rajonale nga 2 specializantë)”, thuhet në njoftimin e Institutit.

Sipas Institutit, epidemiologët kanë kyç në hulumtim e mbikëqyrje të rasteve e kontakteve me sëmundje ngjitëse për t’i detektuar rastet dhe hulumtuar ato.

Instituti tutje ka thënë se numri i kontakteve që janë nën mbikëqyrje në krahasim me numrin e epidemiologëve është shumë i madh.

“Aktualisht, me 362 raste, 4.795 kontakte, mbi 500 persona në karantinë dhe hyrjeve në pikat kufitare, numri i epidemiologëve që ka vendi është ekstremisht i ultë”, thuhet në publikimin e tyre.

Sipas IKShPK epidemiologët bëjnë hulumtimin e kontaktimin e të gjitha rasteve të dyshimta me COVID-19, mbikëqyrjen e hyrjeve në pikat hyrëse kufitare; mbikëqyrjen e personave të karantinuar; grumbullimin-përpunimin dhe analizën-interpretimin e të dhënave; komunikimin me popullatën me rekomandime e këshilla.

Po ashtu, IKShPK po përballet dhe me mungesë të mikrobiologëve.

Sipas Insitutitit, aty punojnë vetëm 29 mikrobiologë ndërsa ka nevoja bazike edhe për 32 të tjerë.

“Në IKSHPK punojnë 29 mikrobiologë. (Në Prishtinë – 12 vetë dhe në 6 Qendrat -17 vetë). Nevojat bazike, në situatë të zakonshme kërkojnë edhe 32 mikrobiologë të tjerë. (për nivelin qendror – IKSHPK në Prishtinë + 8 specializantë për Mikrobiologji e për çdo QRSHP edhe nga 4 specializantë). Poashtu, nevojiten edhe 29 specializantë për Mikrobiologji Klinike në SHSKUK (5 në Prishtinë) dhe për çdo Spital të Përgjithshëm Rajonal nga 4 specializantë (gjithsej 6 SPR x 4 = 24)”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, që nga viti 2009 Laboratori i Mikrobiologjisë Molekulare është i vetmi i tillë në të gjithë Kosovën dhe aty punojnë 6 specialistë të Mikrobiologjisë dhe dy laborant.

“Kemi kërkuar ndihmë dhe nga 2 kolegë në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinës, Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” si dhe 1 kolegë në Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinës, të cilët kanë ekspertizën e nevojshme”, thuhet më tej në njoftimi e IKShPK.

Në anën tjetër, hera e fundit kur ishte hapur konkursi për specializant, ishte viti 2016-të në kohën e ish ministrit Imet Rrahmani.