Ilustrim

IKSHPK: Në disa zona uji i pijshëm ende i turbullt shkaku i vërshimeve

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se në mostrat e mbledhura sot në të gjithë vendin, uji i sistemeve të goditura nga shirat dhe përmbytjet ka ende vlerë të shtuar të turbullirës në ujin e pijshëm.

Sipas IKShPk-së, nga mostrat laboratorike mikrobiologjike, disa nga to rezultojnë me baktere koliforme.

“Në mostrat e analizuara nga të njëjtat sisteme, nga analizat laboratorike fiziko-kimike rezulton vlerë e ngritur e turbullirës që i kalon vlerat standarde të lejuara. Parametra të tjerë fiziko-kimikë rezultojnë në lëkundje në varësi të vlerave të turbullirës. Nga mostrat laboratorike mikrobiologjike të përpunuara deri më tani, disa nga ato rezultojnë me baktere koliforme dhe si të tilla nuk janë brenda standardeve të parapara” – thuhet në njoftimin e IKShPK-së.

Uji nga këto sisteme nuk i plotëson standardet e kërkuara të ujit të pijshëm, thuhet tutje në njoftim.

Instituti ka rekomanduar konsumatorët që para përdorimit të vazhdojnë të vlojnë ujin.

Ndërsa, ka rekomanduar po ashtu të gjitha kompanitë rajonale të ujësjellësit me qëllim të stabilizimit të furnizimit të përdorin burimet e paprekura, të furnizohen me cisterna me ujë të pijshëm, të riparojnë dhe zhbllokojnë pusetat, të riparojnë dëmtimet në rrjetin shpërndarës dhe të kenë kujdes i shtuar në procesin e trajtimit dhe dezinfektimit.

Si pasojë e reshjeve të denduara të shiut, Kosova ditëve të fundit po përballet me vërshime në disa rajone.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se edhe nesër do të vazhdojnë reshjet e shiut.

Sipas Institutit reshjet me intensitet dhe në sasi më të larta do të jenë në pjesën perëndimore të vendit.