IKShPK në Aeroportin e Prishtinës, rekomandon masat parandaluese të sigurisë kundër koronavirusit

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani me ekipin e epidemiologeve nga instituti, kanë zhvilluar një takim me zyrtarë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”.

Ata diskutuan me ekipin e mjekëve, lidhur me masat parandaluese të sigurisë, në lidhje me koronavirusin.

Koronavirusi është shpërndarë në masë të madhe në Kinë, nga i cili deri më tani kanë vdekur 80 persona.

Simptomat e virusit në fjalë janë temperatura dhe kollitja.

IKSHPK ka rekomanduar këto masa parandaluese të sigurisë:

– Rreziku mbetet akoma i ulët, OBSh nuk rekomandon matjen e temperaturës së udhëtarëve të cilët vijnë në aeroport.

– Ekipi mjekësor të jetë të kontakt të vazhdueshëm me policinë në kontrollin e pikës kufitare, për udhëtarët të cilët e kanë vendin e origjinës së udhëtimit nga Kina.

– Në rast të të deklarimit që udhëtarët kanë vendin e origjinës nga Kina, atëherë duhet të bëhet: skriningu i temperaturës së udhëtarëve që arrijnë në ANP “Adem Jashari”; kontrolli mjekësor i udhëtarëve të cilët kanë këto simptome: ethe dhe simptomat të traktit respirator (p.sh., kollë, vështirësi në frymëmarrje) dhe në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave, ka udhëtuar nga qyteti Wuhan, Kinë, ose në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave, ka qenë në kontakt të ngushtë me personin i cili është duke u hulumtuar për 2019-nCoV ose person të sëmurë dhe të konfirmuar nga laboratori 2019-nCoV.

– Raportimi dhe njoftimi i menjëhershëm i IKShPK.

– Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.

– Rreziku i importimit të sëmundjes mund të zvogëlohet nëse kontrollimi i temperaturës gjatë hyrjes shoqërohet me zbulimin e hershëm të udhëtarëve simptomatikë dhe referimin e tyre për ofrimin e ndihmës mjekësore.

– Shpërndarja e mesazheve të komunikimit të rrezikut në aeroport. Kjo mund të bëhet përmes posterave, fletëpalosjeve dhe komunikimit direkt, duke synuar rritjen e vetëdijes së udhëtarëve për shenjat dhe simptomat e sëmundjes, dhe inkurajimin që të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë dhe raportimin e historisë së tyre të udhëtimit.

– Ekuipazhi i aeroplanit duhet të ndjekë procedurat operacionale të rekomanduara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) në lidhje me menaxhimin e personave të dyshimtë në sëmundje ngjitëse në bordin e aeroplanit.

Sipas komunikatës, menaxhmenti i ANP-së “Adem Jashari” u zotua se do t’i përmbush të gjitha rekomandimet dhe kërkesat e IKSHPK dhe OBSH për parandalimin e Pneumonise virale me Coronavirus.