IKShPK e ShSKUK, pranojnë 100 mijë teste dhe 16 ventilatorë

Njëqind mijë testet PCR për COVID-19 dhe 16 ventilatorë, janë dorëzuar sot nga Ministria e Shëndetësisë në stoqet e IKSHPK-së dhe në ShSKUK.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, tashmë ka teste të mjaftueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës, ndërsa ka bërë thirrje që ata të testohen.

Ai tha se edhe dërgesa prej 16 ventilatorëve në ShSKUK, është bërë për të shtuar kapacitetet e trajtimit klinik të pacientëve.

“Testet dhe ventilatorët janë blerë nga Ministria e Shëndetësisë përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare (huamarrja nga Banka Botërore), ndërsa janë siguruar përmes shërbimeve të prokurimit të UNOPS-it”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Që nga fillimi i pandemisë, në Kosovë janë infektuar 60 mijë e 500 qytetarë. Janë shëruar 52 mijë e 621 ndërsa kanë vdekur  1 mijë e 503 qytetarë.

Gjatë javës së kaluar, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për tri raste të reja me variantin e ri të Coronavirusit.