Foto: REL/Reuters

IKShPK dhe MSh nuk tregojnë numrin e testimeve në laboratorët privatë 

500 ishte numri maksimal i testimeve ditore për COVID-19 në dhjetë ditëshin e fundit në Kosovë. Numri i testimeve ditore nuk ka qenë shumë më i lartë as në muajt paraprak që nga shfaqja e rasteve të para me coronavirus në vend.

Që nga data 10 gusht, laboratorët privatë në vend morën për herë të parë të drejtën të kryejnë testime të llojit PCR dhe serologjike për COVID-19 në Kosovë. Licensimi i laboratorëve të rinj për teste serologjike po vazhdon ende.

Për testimet PCR, që janë edhe burim i statistikave për infektimet me virusin në Kosovë, u licensuan edhe dy laboratorë privatë:  Medical Laboratory Services dhe Laboratori Mjekësor i Mikrobiologjisë Klinike “UBT”.

Megjithatë, deri më tani nuk janë dhënë shifrat se sa teste janë duke u bërë në këto dy laboratore, numra të cilat sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike përfshihen në statistikat ditore që publikohen nga ky institut.

KALLXO.com tash e disa ditë ka dërguar  pyetje në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe në Ministri të Shëndetësisë për numrin e testimeve për COVID-19 që po bëhen brenda ditës nëpër institucionet shtetërore por edhe nëpër laboratorët privatë tashmë të licencuar.

As Instituti e as Ministria e Shëndetësisë nuk i janë përgjigjur këtyre pyetjeve.

Tutje KALLXO.com ka provuar të marrë informacionet mbi numrin e testimeve nga laboratorët privatë në numrat e telefonit të këtyre laboratorëve dhe nuk ka pranuar përgjigje.

Vlen të theksohet se numri ditor i testimeve në vend nuk ka pësuar dallim të madh nga koha kur testimi kryhej vetëm në institucionet shëndetësore publike

Në disa konferenca të Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, është thënë se numri i testimeve do të arrijë deri  në 3 mijë e 500 në ditë, përderisa brenda ditës numri i mostrave të testuara nuk po arrin as deri në 600.

I pyetur për datën e përafërt se kur do të arrihet rritja e numrit të testimeve, të martën Ministri Zemaj kishte thënë se po punojnë në këtë drejtim.

Në Qendrën Klinike Universitare, Klinika e Infektivës, Neonatologjisë, Pediatrisë, Pulmologjisë dhe Gjinekologjisë janë duke trajtuar pacientë të infektuar me COVID-19.

Përveç kësaj, pacientë të infektuar me coronavirus janë duke u trajtuar edhe nëpër Spitale Rajonale.

Tash e pesë muaj në nivel vendi janë prekur nga pandemia e coronavirusit mbi 12 mijë qytetarë dhe kanë vdekur 488.