Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

IKSHPK bën thirrje për testim, bartje të maskave dhe vaksinim kundër COVID

 

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bartin maskat në ambiente të mbyllura dhe të vaksinohen.

“Kosova shënon këtyre ditëve numër të vogël të rasteve të reja të COVID-19 dhe për më tepër, fatmirësisht, nuk ka as raste të vdekjeve nga kjo sëmundje. Por, në vende të ndryshme të botës, akoma po regjistrohen raste të shumta të COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar”, është thënë në apelin e IKSHPK.

Tutje, IKSHPK u ka bërë thirrje qyetarëve që të testohen nëse kanë simptoma të këtij virusi.

“IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështërsi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen”, ka thënë IKSHPK teksa ka bërë thirrje edhe për vaksinim.

“Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë ata që ende se kanë bërë këtë, kurse të tjerët me dozën e dytë dhe dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në apelin e këtij instituti.