Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

IKShPK bën thirrje për mosgrumbullim të qytetarëve

Përderisa simpatizantët e partive nëpër komuna të ndryshme kanë dalë të festojnë pas mbylljes së vendvotimeve dhe fillimit të numërimit të votave, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka bërë thirrje që të respektohen masat anti-COVID dhe të mos ketë grumbullim të qytetarëve.

“IKShPK apelon tek të gjithë qytetarët, për respektimin e të gjitha masave sipas vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Për shkak të rrezikshmërisë së lartë të përhapjes së COVID-19, bëjmë thirrje për kujdes dhe mosgrumbullim”, thuhet në njoftim.

Instituti ka potencuar se situata epidemiologjike me COVID-19 vazhdon me rënie të numrit të rasteve të reja pozitive dhe numrit të vdekjeve, por megjithatë është akoma jostabile duke pasur parasysh se varianti Delta është prezent dhe është varianti dominues në qarkullim në Kosovë.

Po ashtu, ata kanë rekomanduar institucionet përgjegjëse të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

Në orën 19:00, janë mbyllur të gjitha vendvotimet nëpër komunat e Kosovës dhe ka filluar numërimi i votave për kryetar të komunave.