Lloje të ndryshme të bukës - Foto: REL/Shutterstock

IKShPK: AUV nuk ka sjellë mostra të bukës për testim të përmbajtjes së aditivit

Asnjë mostër e bukës nuk është testuar për përmbajtje të sasisë së lejueshme të aditivit gjatë dy viteve.

Ergyl Binçe, nga Departamenti i Ekologjisë Humane në Institutin e Shëndetësisë Publike të Kosovës ka konfirmuar se nuk janë kryer analiza të përmbajtjes së aditivëve në bukë qe dy vjet.

Sipas Binçes, përgjegjësi e Institutit në këtë rast është të testojë vetëm mostrat e bukëve që i sjellin inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

“Sa i përket cilësisë së saj, nuk mund të themi se është nën kontrollin e duhur. Para katër ose pesë vjetësh na kanë ardhur sasi e konsiderueshme e bukës për analizë prej furrave të bukës. Ka ekzistuar një plan nacional që është bërë në AUV ku është sjellë buka në formë të rregullt dhe është kontrolluar. Por për dy-tre vjet e fundit ndoshta ka ardhur vetëm një bukë. Sipas marrëveshjes që e kemi me AUV ne kryejmë vetëm analiza prej mostrave që na sjellë Inspektorati. Gjatë dy vjetëve të fundit nuk kemi pasur asnjë mostër”, deklaron Binçe.

Binçe shton më tej se në Institutin e Shëndetësisë Publike ka ardhur për analiza mielli por me kërkesa për analizë specifike të testimit.

“Mielli na ka ardhur me kërkesë specifike që me analizuar se a është i pasuruar me hekur”, ka shtuar ai.

Binçe ka shtuar se kjo është shumë brengosëse për shkak të shtimit të aditivëve.