IKShPK

IKShPK apelon qytetarët të vaksinohet kundër COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është duke bërë thirrje vazhdimisht ndaj qytetarëve që të vaksinohen kundër coronavirusit, njëra ndër mënyrat e vetme për të parandaluar vdekshmërinë ndaj COVID-19.

Instituti ka ritheksuar se “është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik” duke shtuar se situata epidemiologjike mund të përkeqësohet ditë pas dite.

Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës, të mbahet maska, të respektohet distanca fizike, të bëhet ajrosja apo dezinfektimi i hapësirës ku jetojmë apo qëndrojmë.

“Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare”, thuhet po ashtu në reagimin e institutit.

Kosova dhe shumë vende në botë janë duke u ballafaqur me variantin e ri të COVID-19, “Omicron” apo “B.1.1.529”.

Nga 9 dhjetori kur edhe ka filluar të jepen dozat e treta kundër COVID-19 në Kosovë janë vaksinuar mbi 2 mijë qytetarë. Me dy doza janë vaksinuar  796 mijë qytetarë ndërsa në total janë administruar mbi 1,7 milion vaksina anti-COVID.

Pandemia e coronavirusit e cila në Kosovë u paraqit për herë të parë më 13 mars 2020 ka prekur mbi 166 mijë qytetarë prej tyre mbi 2 mijë kanë vdekur.

Në nivel global janë infektuar mbi 329 milion qytetarë ndërsa të vdekur janë mbi 5 milion qytetarë në mbarë botën.

Aktualisht në Kosovë janë 4 mijë e 489 raste aktive me COVID-19.