Ushqimi, Foto: IKShPK

IKShPK apelon për kujdes të shtuar gjatë gatimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së ushqimit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka apeluar te qytetarët të kenë kujdes të shtuar gjatë gatimit, ruajtjes dhe shpërndarjes së ushqimit.

Sipas Institutit, ka qytetarë të cilët për shkak të konsumimit të ushqimit të kontaminuar kanë përfunduar në spital, por që janë jashtë rrezikut për jetë.

“Qytetarë të pafajshëm për shkak të konsumimit të ushqimit të kontaminuar kanë përfunduar në spital të cilët falë përkujdesjes së ekipit të mjekëve janë jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në publikimin e tyre në Facebook.

IKShPK-ja ka renditur disa rekomandime për qytetarët siç janë: Kujdes i shtuar ku konsumohet ushqimi, Shmangia e konsumimit të mishit të papërpunuar termikisht, shmangia e konsumimit të ushqimit që përmban vezë të freskëta, si majoneza, soset e ndryshme, etj, konsumimi i qumështit të pasterizuar ose të zier, shmangia e konsumimit të djathit të freskët nga qumështi jo i pasterizuar ose zier, frutat dhe perimet të lahen me ujë të bollshëm, nuk preferohet konsumimi i ushqimit që ka qëndruar jashtë frigoriferit për më shumë se 2 orë, ruajtja e ushqimit të mbetur në frigorifer, ushqimi i ngrirë i cili është shkrirë duhet të konsumohet sa më shpejt ose të hidhet. Nuk duhet të ringrihet.