Rritja e rasteve, rekomandohet shtrëngim i masave

Sonte në Kosovë u konfirmuan edhe 53 raste të reja me koronavirus, duke e çuar në total numrin e të prekurve në 1 mijë e 437.

IKSHPK-ja thekson se me lehtësimin e masave të reja për disa aktivitete, janë gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës dhe institucione e degë të ekonomisë, për shkak të mosmbajtjes së distancës dhe mosmbajtjes së maskave.

IKSHPK-ja rekomandon Ministrinë e Shëndetësisë t’i mbyllë sektoret ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetëizolim dhe bartja e maskave është obligative.

“Duke pasur parasysh se në javën e fundit kemi rritje të rasteve pozitive që në intensitet krahasohen me mesin e muajit prill dhe kemi raste te punëtorët e organizatave publike, private, posta e Kosovës, KEK, KEDS, Galeri e arteve, institucione bankare, shëndetësore, agjensione, kompani tregëtare dhe biznese private, rekomandojmë Ministrinë e Shëndetësisë të mbyllen sektorët ku ka raste pozitive dhe të gjitha rastet pozitive dhe kontaktet e tyre të mbahen në vetëizolim dhe bartja e maskave është obligative. Këto ditë vërehet fluks i shtuar i qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandimeve të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajten e distancimit fizik dhe mbajtjen e maskave në vendet publike.”, thuhet në njoftimin e Institutit.

Sipas IKSHPK-së, pakujdesia e qytetarëve mund të shtojë rrezikun e përhapjes, dhe me këtë rast, IKSHPK-ja dhe MSH-ja rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat.

“Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre aktiviteteve, mund të shtojnë rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve. Si pasojë e mos baretjes së maskave qytetarë të nderuar ju po e rëndoni situatën epidemiologjike dhe po rrezikoni shëndetin e qytetarëve që po e mbajmë nën kontrollë me mund të madh të ekipit të epidemiologëve dhe mikrobiologëve të Institutit Kombëtar. Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së./ 21 Media