Foto: REL/AFP

IKSHP po mbikëqyrë mbi 6,300 kontakte të rasteve të konfirmuara me COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se  po mbikëqyrë 6,351 persona të cilët janë kontakte të pacientëve të konfirmuar me coronavirus.

Në njoftimin e fundit të IKSHP-së thuhet se janë duke u kontaktuar në vazhdimësi kontaktet e rasteve.

“Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke iu obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome. Deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 6,351 kontakte të rasteve”, thuhet në njoftimin e IKSHP-së.

Tutje IkSHP ka njoftuar edhe se në Kosovë janë testuar gjithsej 5 mijë e 9 mostra të dyshuara për coronavirus.

“Nga data 08 shkurt deri më 20 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 5.009 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 598 raste, ndërsa gjithsej 15 raste kanë ndërruar jetë dhe të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, thuhet tutje në njoftim.