IKSHP ende nuk ka testuar rreth 170 mostra të Komunës së Gjilanit, reagon nënkryetari

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli në një postim në Facebook ka bërë thirrje ndaj Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike që të trajtoj sa më shpejtë mostrat e marra në Gjilan nga kontaktet e personave që kanë rezultuar pozitiv.

Nënkryetari Ismajli për KALLXO.com ka thënë se janë afër 170 mostra të cilat janë marrë nga ana e IKSHP-së vetëm gjatë ditës së djeshme dhe sot janë marrë rreth 170 mostra ndërsa ende nuk janë testuar.

“Mostrat për testim të pacientëve nga Gjilani, të cilat janë marrë nga ana e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, nuk janë testuar ende dhe po shkaktojnë vonesa nga ana e tyre për shfaqjen e rezultateve. Kjo dukuri e vonesave të rezultateve po ndikon negativisht, në uljen e rasteve dhe është kundër qëllimeve të vetë IKSHP-së. Pacientët potencial me COVID19, të cilët presin për rezultate nga dy ose tri ditë, janë rreziku kryesor potencial i rritjes dhe shumëfishimit të pandemisë tek qytetarët”, ka thënë Ismajli.

Tutje ai ka bërë apel që të testohen mostrat e marra në mënyrë që të arrijnë të menaxhojnë situatën dhe personat që dalin pozitiv.

“Andaj, u bëjmë apel Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, që t’i trajtojnë sa më shpejtë mostrat e marra, dhe, të mos shkaktojnë vonesa, sepse, çdo vonesë po na shkakton vështirësi në menaxhimin e këtyre rasteve, dhe, rritjes potenciale të rasteve të reja nga kontaktet me ta”, ka thënë tutje Ismajli.

Dalin rezultatet për 456 mostrat e testuara sot për coronavirus

.