FOTO: ICK
Ikja virtuale e trurit: Sektori në lulëzim i TIK-ut eksporton talentin jashtë vendit
Sektori i Teknologjisë, Informacionit, dhe Komunikacionit, TIK, në Kosovë ka shënuar një rritje të shpejtë, përkundër neglizhencës institucionale – mirëpo meqë shumica e të rinjve me ekspertizë po largohen nga Kosova apo po i përdorin aftësitë e tyre për tregjet ndërkombëtare, vendi rrezikon ta humbasë këtë aset.
Zyrtari i logjistikës i një kompanie në Australi po përdor softuerin e kompanisë Tive për të gjurmuar dërgesën e mallrave të saj.
Menaxheri i pronës së një ndërtese në SHBA përdor softuerin e Kode Labs për të menaxhuar të gjitha pajisjet në ndërtesë dhe për të llogaritur sa kohë duhet t’i lërë ngrohësit të ndezur për të arritur një temperaturë të pranueshme të dhomës, me një kosto të vogël.
Ndërkohë, një familje në Evropë po e paguan “Rritu e Mëso”, një aplikacion që fëmija i tyre të mësojë dhe të argëtohet.
E përbashkëta e këtyre klientëve hipotetikë, në tri kontinente të ndryshme, është se teknologjia që ata përdorin është zhvilluar dhe menaxhuar në Kosovë – shteti më i ri në Evropë dhe që nuk njihet nga të gjitha shtetet e botës.
Sektori TIK-ut në Kosovë ka shënuar rritje të shpejtë në dekadën e fundit, me shumë kompani të reja që ofrojnë shërbime të jashtme ose zhvillojnë zgjidhje të reja teknologjike për njerëzit ose kompanitë, kryesisht jashtë Kosovës.
Në Kosovë tregu është i vogël. Me vetëm rreth 1.8 milionë banorë, me paga mesatare mujore rreth 460 euro dhe një normë punësimi prej 28-29%, Kosova konsumon pak shërbime TIK, si aplikacione apo softuer. Kjo bën që numri në rritje i ekspertëve vendas t‘i eksportojnë shërbimet e tyre, ose të shkojnë jashtë vendit, ku marrin paga më të mira.
Sipas Shoqatës Kosovare të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, STIKK, një zhvillues softuerësh në vitin 2020 e kishte pagën mujore 1000 euro ndërsa një menaxher projekti në një kompani TIK rreth 900 euro, dyfishi ose trefishi i pagës mesatare.
Sytrime Dervisholli, ish-udhëheqëse e departamentit të tregtisë në ish-Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tha për BIRN se sektori i TIK-ut është tani një faktor kryesor në ekonominë e Kosovës, përgjegjës për gjenerimin e 16 deri në 20 përqind të Bruto Produktit Vendor, BPB-së.
Megjithatë, ajo shton që “ka një ikje virtuale të trurit sepse tregu i Kosovës nuk është i përgatitur për zhvillim shumë të shpejtë të TIK-ut ndërkohë që as institucionet nuk janë në gjendje t’i përgjigjen kësaj rritjeje të shpejtë të këtij sektori”.
Mungesa e stabilitetit politik të Kosovës, i reflektuar në ndryshimet e shpeshta të qeverisë, gjithashtu nuk ka lejuar që zhvillimi i sektorit të TIK-ut të bëhet prioritet i qeverisë.
Rritje e qëndrueshme e vlerës së eksporteve
Pjesëmarrësit në lansimin e aplikacionit Rritu e Meso kontrollojnë broshurat e aplikacionit, në ambientet e Qendrës së Inovacionit në Kosovë, 3 tetor 2021. Foto: Innovation Center Kosovo
Në dekadën e fundit, sektori i TIK-ut në Kosovë ka shënuar rritje të vazhdueshme, me shumë të rinj që kanë marrë ekspertizë në këtë fushë, gjë që ka çuar në vende të reja pune dhe më shumë inovacione, dhe në më shumë interes në mesin e kompanive të huaja për të bashkëpunuar me kompanitë kosovare ose për ta pasur degën e tyre në Kosovë.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës tregojnë se, nga janari deri në korrik të vitit 2021, Kosova ka eksportuar 47.1 milionë euro shërbime TIK dhe ka importuar vetëm rreth gjysmën e kësaj shume, 25 milionë.
Si në eksport ashtu edhe në import është vërejtur rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 kur Kosova eksportoi 43.5 milionë euro shërbime TIK dhe importoi 20.1 milionë euro.
Në vitin 2019, Kosova ka eksportuar vetëm 39.7 milionë euro shërbime TIK dhe ka importuar 26.1 milionë euro.
Nga 42 kompanitë e IT-së STIKK të anketuara në vitin 2020 për barometrin vjetor të IT-së, 91 për qind i eksportojnë shërbimet e tyre jashtë vendit, kryesisht në Evropën Qendrore dhe Amerikën e Veriut.
Dervisholli tha për BIRN se qytetarët me vendbanim të përhershëm në Kosovë kanë investuar në këtë sektor “për të shënuar rritjen që ka sot”. STIKK gjithashtu arriti në përfundimin se “shumica dërrmuese e kompanive të TIK-ut që operojnë në Kosovë janë themeluar po ashtu në Kosovë”.
Drejtori menaxhues i Kode Labs me bazë në Kosovë, Nue Nikolla, tha për BIRN se qindra ndërtesa nga kompanitë e pasurive të paluajtshme në Amerikën e Veriut dhe Australi e kanë të instaluar softuerin e tyre. “Ne kemi kompani pronash të paluajtshme të interesuara edhe në vende të tjera, si Zvicër, Emiratet e Bashkuara Arabe apo Singapor”, shtoi tutje Nikolla.
Kode Labs ofron softuer të ndërtesave inteligjente (smart buildings software) që optimizon sistemet e ndërtesave, siguron kursime operacionale dhe rrit fitimin për pronarët e pasurive të paluajtshme. Kjo i lejon pronarit të shumë ndërtesave ose menaxherit të një ndërtese të kontrollojë në kohë reale pajisje të ndryshme në ndërtesë/a, të tilla si ngrohje, ashensorë, drita etj., në mënyrë që të rrisë kënaqësinë e qiramarrësit.
Kode Labs u bashkëthemelua nga vëllezërit Edi dhe Etrit Demaj, të cilët shkuan në SHBA në vitin 1999 si refugjatë nga lufta e Kosovës. Kompania është e regjistruar në Detroit, ku, ndër të tjera, kryesisht është i vendosur ekipi i ekspertëve të pasurive të paluajtshme, dhe në Kosovë, ku bazohen kryesisht zhvilluesit e softuerit dhe menaxherët e projekteve.
Fitore Fazlija, menaxhere e projektit në Tive me seli në Kosovë, tha për BIRN se klientët e tyre janë kryesisht nga Amerika e Veriut, Evropa dhe Australia.
Tive i ndihmon kompanitë në gjurmimin e dërgesave të mallrave. Selia e saj është në Boston, por ajo ka edhe një degë të sajën në Kosovë, ku zhvilluesit dhe dizajnerët e softuerit të kompanisë ofrojnë shërbime të jashtme për selinë.
Artisti kosovar Artan Korenica, pronar i aplikacionit ‘Rritu e Meso’, tha për BIRN se që nga lansimi i tij, aplikacioni ka fituar rreth 30,000 përdorues nga Shqipëria, SHBA dhe vende të tjera të Evropës.
‘Rritu e Meso’ është një aplikacion edukativ për fëmijë në gjuhën shqipe. I lansuar më 3 tetor të vitit 2021, ai u krijua nga Korenica në bashkëpunim me artistë dhe zhvillues të tjerë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Pjesë e aplikacionit janë artistë të njohur shqiptarë si këngëtarët Alban Skenderaj dhe Miriam Cani, ndër të tjera. Aplikacioni menaxhohet nga kompania e zhvillimit dhe dizajnit të softuerit Kutia me seli në Kosovë.
Përveç kompanive të vendosura në vend, Kosova ka një grup të profesionistëve të pavarur që ofrojnë shërbime për kompanitë e huaja.
“Ne kemi 300 deri në 400 njerëz që punojnë në objektet tona [në kryeqytet, Prishtinë] për kompanitë e huaja, duke krijuar aplikacione për vendet e zhvilluara,” tha për BIRN Uranik Begu, drejtor i Qendrës së Inovacionit në Kosovë, ICK, një inkubator që lidh ekspertët e teknologjisë me bizneset.
Megjithatë, Begu thotë se rritja e sektorit ka pluse dhe minuse. “Aftësitë e të rinjve në këtë sektor po rriten – dhe kjo është fatkeqësia jonë”.
“Të rinjtë punojnë për zgjidhje teknologjike për vendet e zhvilluara dhe kjo krijon një ikje të trurit, me të rinj që largohen nga vendi,” tha ai, duke iu referuar burimeve dhe mbështetjes së kufizuar që mund të marrin brenda Kosovës.
Ka mungesë të mbështetjes institucionale dhe kuadrit ligjor
Uranik Begu, kryeshef ekzekutiv i Qendra e Inovacionit në Kosovë (Innovation Center Kosovo), ICK, gjatë Angel Club Pitch Night, një ngjarje ku startup-et paraqesin idetë e tyre dhe marrin komente në kohë reale, 6 qershor 2019. Foto: Innovation Center Kosovo
Sektori i TIK-ut në Kosovë është zhvilluar përkundër mungesës së mbështetjes institucionale dhe kornizës së duhur ligjore.
Në 10 vitet e tij si kryeshef ekzekutiv në ICK, Begu thotë se ka diskutuar të njëjtat çështje me gjashtë qeveri të ndryshme, mirëpo strategjitë e diskutuara me një qeveri nuk kalojnë në tjetrën.
“Atëherë kur ata e kuptojnë idenë e projektit, vjen koha që ata të largohen nga [pushteti],” tha Begu.
Strategjia e fundit Kombëtare e TIK-ut, e publikuar nga STIKK në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Agjencinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar, GIZ, dhe ambasadën Norvegjeze, është publikuar në vitin 2016.
Dervisholli kujton se në vitin 2014 qeveria e Kosovës e përcaktoi TIK-un si sektor strategjik.
“Mirëpo, të gjitha iniciativat, përfshirë ICK dhe STIKK, janë themeluar me mbështetjen e ndërkombëtarëve, kryesisht të ambasadave suedeze dhe norvegjeze – dhe më vonë Ministria e Ekonomisë u përfshi me një departament specifikisht për politikat e TIK-ut,” tha ai.
Kosovës i mungon gjithashtu një infrastrukturë e duhur ligjore për TIK. Nuk ka ligj për tregtinë elektronike (e-commerce) dhe vetëm më 27 korrik të këtij viti parlamenti votoi projektligjin për identifikimin dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike.
Identifikimi dhe Shërbimet e Besuara në Transaksionet Elektronike.
Identifikimi elektronik nënkupton përdorimin e të dhënave të identifikimit të një personi në formë elektronike. Shërbimi i besuar në transaksionet elektronike nënkupton një shërbim elektronik që zakonisht ofrohet me një tarifë.
Me transaksionet elektronike ende të parregulluara siç duhet, bizneset e TIK përballen me pengesa të ndryshme. Korenica i tha BIRN se shpesh pranon telefonata nga klientë potencialë që duan të paguajnë për aplikacionin e tij, ‘Rritu e Mëso’, por nuk mund ta kryejnë transaksionin përmes bankave komerciale të Kosovës.
“Për arsye sigurie, bankat në Kosovë i bllokojnë kartat e klientëve,” tha Korenica për BIRN, duke shtuar se kartat zhbllokohen vetëm më vonë pasi klientët ta japin shpjegimin e tyre se duan ta blejnë aplikacionin dhe kryejnë identifikimin.
BIRN e ka pyetur Bankën Qendrore të Kosovës, BQK, e cila i rregullon bankat komerciale, se pse po ndodh kjo çështje, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Nikolla, nga Kode Labs, thotë se Kosova ofron një ambient fillestar të mirë për bizneset, me një taksë të ulët fitimi prej vetëm 10 përqind dhe talent në këtë fushë.
Megjithatë, ai pretendon se ky talent është krijuar nga përpjekjet individuale, jo nga qeveria, e cila thotë se nuk arrin të ofrojë programe adekuate në shkollat publike, bursa, subvencione ose iniciativa për të rinjtë që t‘i zhvillojnë aftësitë e tyre.
Begu paralajmëron se aftësitë në këtë fushë duhet të përditësohen vazhdimisht, gjë që është e vështirë të bëhet pa një mbështetje institucionale. “Duhet të kemi një qasje më praktike,” tha ai.
“Kosova ka nevojë për legjislacion që u mundëson të rinjve nga e gjithë bota të vijnë në Prishtinë dhe të gjejnë një mjedis që i mbështet ata në drejtim të kthimit të talentit në aftësi, por edhe me iniciativa të tjera, përfshirë ato fiskale,” tha ai.
Qeveria e kryeministrit aktual Albin Kurti në fakt ka iniciuar bursa për 1000 gra studente në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës.
Mirëpo nisja e një biznesi fillestar (startup) në TIK në Kosovë mbetet i vështirë. Korenica, nga aplikacioni ‘Rritu e Mëso’, tha për BIRN se duhej ta regjistronte aplikacionin e tij në Shqipëri, sepse dyqani i Apple (Apple store) nuk e ka Kosovën në listën e tij.
Fazlija, nga Tive, thotë se Kosova duhet ta bëjë më të lehtë regjistrimin dhe funksionimin e bizneseve të reja.
Begu, nga ICK, aktivitetet e së cilës kanë iniciuar 400 startup-e, thotë se fillimi i menjëhershëm i taksimit ndaj kompanive u vë një barrë të rëndë sipërmarrësve të rinj.
Dervisholli thotë se nëse Kosova nuk i jep prioritet këtij sektori, rritja e shpejtë që ka ndodhur në mënyrë organike nuk do të jetë e qëndrueshme.