Ikja e mjekëve, Kosova shpenzon 100 mijë euro për një student që ia fal Europës

Leonora Avdijaj që nga korriku i vitit 2019 ka zgjedhur që profesionin e infermieres ta ushtrojë në njërën nga klinikat në Stuttgart të Gjermanisë. Pamundësia për t’u punësuar dhe kushtet jo të favorshme të punës thotë se e kanë shtyrë të largohet nga Kosova.

E larguar pa dëshirën e saj nga vendlindja, ajo shprehet e zhgënjyer me sistemin e shëndetësisë në Kosovë.

“Arsye janë disa ama arsyeja kryesore e largimit tim nga vendlindja është gjendja e punësimit në Kosovë. Edhe pse është e rëndë me thanë ama ajo është kanë nja prej arsyeve qe e kam lënë vendin tim. Kushtet e këqija ekonomike, sistemi në përgjithësi në Kosovë është shumë larg Gjermanisë”, shprehet Avdijaj.

Ajo gjithashtu tregon se përkundër se kishte provuar disa herë t’i shërbente vendit si infermiere, një gjë e tillë iu pamundësua.

“Unë në Kosovë kam kry shkollën e mesme 4 vjet Pediatri, pastaj 3 vjet Universitet – Infermieri e Përgjithshme edhe asnjëherë nuk kam mundur të punësohem”, thotë Leonora Avdijaj.
Përvoja e saj është tjetër pasi ajo migroi në Gjermani. Atje, Leonora thotë se gjeti mbështetje dhe vend pune.

“Është për me u habitë unë me veten time, nuk e kam mendu asnjëherë se kam me u adaptu në një vend të huaj, mirëpo për këta muaj që jam këtu ia kam arritë me u adaptu. Njerëzit janë shumë të mirë, të sjellshëm, sistemi është i avancuar, mbizotëron ligji, një prej arsyeve që unë mendoj me qëndru këtu. Çdokush ka të drejtën e vetë, pa marrë parasysh a je vajza ose djali i X personit”, deklaron ajo.

Vendim të njëjtë me Leonorën ka marrë edhe Largesa Lenjani. Ajo është larguar nga vendi në kohën kur vendi nisi të përballej me pandeminë COVID-19.

Tre muaj më parë ajo është punësuar në Stuttgart të Gjermanisë, ku ushtron profesionin e infermieres. “Nëse do isha kthyer në Kosovë – mbetem skeptike, ndoshta!” , thotë ajo.

Sipas të dhënave të Odës se Mjekëve të Kosovës (OMK), nga viti 2019 e deri në maj të këtij viti 148 punëtorë staf mjekësor kanë kërkuar lejet e nevojshme për punë jashtë shtetit.

“Gjatë vitit 2019 janë lëshuar 109 certifikata për pastërtinë etiko-profesionale, kurse në këtë periudhë të vitit 2020 janë lëshuar 39 certifikata të tilla”, thotë Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës se Mjekëve të Kosovës.

Sejdiu tregon se shumica e stafit mjekësor që po kërkon të largohet nga Kosova janë të sapodiplomuar apo të papunë.

“98% e kërkesave vijnë nga ana e mjekëve të rinj, pra ata të sapodiplomuarit apo ata të cilët këto katër vitet e fundit nuk kanë pasur mundësi të punësimit apo specializimeve”, thotë ai.

Fusha e mjekësisë mbetet mjaft e lakmuar për t’u studiuar. Sipas prodekanit për Çështje Akademike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Safedin Muçaj, vetëm në vitin akademik 2019/2020 kanë aplikuar 2,015 të rinj, ndërsa 504 studentë tashmë janë pranuar.

“Në vitin e parë akademik 2019/2020 kanë aplikuar, si vijon: Mjekësi e Përgjithshme – 912, Stomatologji – 310, Farmaci – 18, Fizioterapi – 296, Infermieri – 314. Ndërsa janë pranuar: Mjekësi e Përgjithshme -225, Stomatologji – 70, Farmaci – 50, Fizioterapi – 50, Infermieri – 109”, tregon Muçaj.

Nga viti 2014 Ministria e Shëndetësisë nuk ka hapur konkurs për specializantë të rinj, problem për të cilin thonë se do të vendoset pas pandemisë COVID-19.

Nevoja për mjekë specialistë, sipas drejtorit të OMK-së, Pleurat Sejdiu është vërejtur sidomos tani në këto ditë kur Kosova është duke u ballafaquar me këtë virus.

“Nuk ka një analizë të mirëfilltë se cilat lami janë më deficitare, porse në praktikë dhe sidomos tani gjatë pandemisë, mund të drejtojmë gishtin nga lëmenjtë paraklinike (mikrobiologji , shëndet publik, epidemiologji, citologji, histo-patologjia etj), infektivë, anesteziologjia, mjekësia emergjente, mjekësia ligjore, si dhe shumë subspecializime deficitare.”, shpjegon ai.

Sipas tij paradoksale është se në Kosovë aktualisht kemi nevojë së paku për 1,500 mjekë, ndërsa 700 mjekë-specialistë janë të papunë.

Ministria e Shëndetësisë thotë se ikja mjekëve është një trend që po ndodh edhe në vendet tjera rajonale dhe të Europës.

“Ka pasur një trend të largimit të mjekëve dhe profesionistëve shëndetësorë, jo në atë nivel sa të rrezikojë shërbimet shëndetësore në Kosovë, por gjithsesi që duhet marrë në konsideratë dhe me shqetësim. Diçka që po ndodh edhe me shtete e tjera të rajonit, por edhe brenda vetë Europës”, thonë në përgjigje me email nga Ministria e Shëndetësisë.

Ky institucion paralajmëron se është duke u përgatitur një plan (strategji) përmes të cilit do të analizohet shpërndarja e saktë e profesionistëve shëndetësorë në nivel vendi, shërbimet prej nga ka pasur më shumë profesionistë të larguar dhe shërbimet ku ka më shumë nevoja në të ardhmen për të investuar.

“Krahas kësaj, profesionistët shëndetësorë duhet të mbështeten në punën e tyre duke u krijuar kushte më të përshtatshme pune, paga më dinjitoze dhe mundësi që të njëjtit të ndjehen të plotësuar edhe në kuptimin profesional. Është një temë e cila duhet të shqyrtohet edhe me sektorët e tjerë, në veçanti me sektorin e arsimit dhe atë të ekonomisë”, thuhet mes tjerash në përgjigjet e tyre.

Përpos mungesës në staf mjekësor, ikja e studentëve, infermierëve dhe mjekëve ka kosto edhe financiare.

Sipas prodekanit të Fakultetit të Mjekësisë në UP, Sefadin Muçaj, përgatitja e një studenti të mjekësisë deri në specializim, buxhetit të Republikës së Kosovës i kushton rreth 100 mijë euro.

Ikja e stafit mjekësor nga Kosova po rrezikon që sistemi shëndetësor të mbetet në duart e mjekëve që janë afër pensionimit, pasi të rinjtë fillojnë karrierën e tyre në vendet perëndimore.

“Patjetër këtu duhet shtuar nevojën e regjenerimit të shumë lëmenjve të tjerë, kjo duke pasur parasysh moshën mesatare 52 vjeçare të mjekëve të punësuar”, ka deklaruar Sejdiu.