Ilustrim
Ik një i burgosur nga burgu i Smrekonicës, suspendohen dy përgjegjës
Një person ka ikur nga burgu i Smrekonicës, sot më 06.07.2024. Kështu ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një njoftimi për media.
Dy persona janë suspenduar gjithashtu, oficeri i dhomës së vëzhgimit, F.R dhe oficeri i krahut, N.A.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari F. H është larguar nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës, institucion i tipit të hapur. Ai është gjithashtu përfitues i vikendit. Herën e fundit që ka shfrytëzuar vikendin ishte nga data 01 deri më 03 të këtij muaji” – thuhet në njoftim.
“Për largimin e tij nga institucioni është përgatitur letërrreshtimi dhe është njoftuar edhe policia” – njoftim Shërbimi korrektues i Kosovës.
KALLXO.com ka pyetur edhe Policinë e Kosovës, zyrën për media për rajonin e Mitrovicës, për të marrë detaje mbi rastin, por deri në publikimin e këtij artikulli ata nuk kanë kthyer përgjigje.